Lajme

Vitia viziton Klinikën e Pulmologjisë, njofton për investime të reja

03/29/2023 18:12
nga:G B

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i shoqëruar nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Dr. Narqize Arnëliu – Hoxhaj ka vizituar Klinikën e Pulomologjisë.

Ai ka dëgjuar shqetësimet e stafit dhe drejtorit të kësaj klinike, Musa Hoxha të cilat kryesisht kishin të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës dhe shtimin e kapaciteteve njerëzore për të ofruar shërbime sa më cilësore.

“Jo rastësisht sot kam zgjedhur ta vizitojë Klinikën e Pulmologjisë dhe jo rastësisht me neve sot janë edhe miqtë tanë nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, për të parë nevojën e ndërhyrjeve infrastrukturore në këtë klinikë. Natyrisht pa investime në infrastrukturë dhe aparaturë juve u vështirësohet puna. Por, përkundër kësaj ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme, falë përkushtimit tuaj profesional të pakursyer”, tha ministri Vitia, i cili njoftoi se në këtë klinikë do të bëhen investime të reja me qëllim të përmirësimit të kushteve për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët.

Nga ana e stafit shëndetësor në Klinikën e Pulmologjisë, ministri Vitia u njoftua se pavarësisht vështirësive, në këtë klinikë nuk ekzistojnë listat e pritjes dhe ofrohen shërbimet për qytetarët me intensitet të shtuar të punës.