Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinen, Arben Vitia, ka thënë se partia e tij ka siguruar 18 asamblistë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Vitia ka thënë se Vetëvendosja është lista më e votuar në asamble.
“Gjithsej 18 nga kandidatët tanë tashmë janë asambleistë, duke na bërë kështu subjektin më të madh në asamblenë komunale. Në një takim të përzemërt falënderova secilin për vetëdijen dhe standardin e lartë të vendosur në këtë garë dhe përkushtimin e tyre për shpalosjen e programit tonë në terren. U dakorduam që së bashku do punojmë drejt fitores së madhe të 14 nëntorit, fitore që do të jetë e secilit”, ka shkruar ai.
Ndërsa në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka marrë më pak vota, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, në raundin e parë.
Kësaj radhe kandidat i Vetëvendosjes ishte ish drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë dhe ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai me 17 tetor ka fituar 35 mijë e 433 vota.Ndërsa kryetari aktual, Shpend Ahmeti, që në 2017-ën kishte garuar me Vetëvendosjen, atë kohë kishte marrë 38 mijë e 294 vota, apo 2 mijë e 861 vota më shumë se Arben Vitia.