Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka arsyetuar mungesën e barit Palbociclib në Klinikën e Onkologjisë me dyfishimin e kërkesave, pengesat buxhetore dhe dështimin e procedurës së parë të tenderimit për furnizimin e ri. Sipas tij, sasia e planifikuar për një vit është shpenzuar më shpejt, ndërsa kontrata është shfrytëzuar deri në 130 për qind brenda nëntë muajve.
Këto shpjegime Vitia i ka dhënë gjatë interpelancës, duke iu përgjigjur deputetes së PDK-së, Sala Jashari, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ministri ka thënë se Palbociclibi është përfshirë për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale në vitin 2025. Planifikimi fillestar, sipas tij, ishte bërë për 40 pacientë, bazuar në kërkesat e atëhershme të Klinikës së Onkologjisë.
Vitia ka deklaruar se kontrata e parë ishte lidhur më 17 korrik 2025, ndërsa furnizimi kishte arritur në mesin e gushtit të atij viti. Megjithatë, sipas tij, përfshirja e barit në listë kishte sjellë kërkesa shtesë nga pacientët që më herët e siguronin privatisht.
“Një pjesë e pacientëve të cilët e kanë siguruar më herët privatisht, duke mos qenë në listën e barnave esenciale, kur është futur ky bar në listën e barnave esenciale, kanë filluar normalisht ta kërkojnë këtë medikament në klinikën e onkologjisë”, ka thënë Vitia.
Ministri ka deklaruar se dyfishimi i kërkesave kishte çuar në shpenzimin më të shpejtë të kontratës, e cila, sipas tij, ishte shfrytëzuar deri në kufirin e lejuar ligjor.
“Ajo që ishte planifikuar që për 1 vit të shpenzohej për 100%, për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ka rezultuar me shpenzim prej 130% për vetëm 9 muaj”, është shprehur ai.
Vitia e ka lidhur vonesën në nisjen e furnizimit të ri edhe me miratimin e buxhetit dhe mosrealizimin e rishikimit buxhetor. Sipas tij, procedurat e reja kishin filluar pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Buxhetit dhe transferimit të mjeteve, por tenderi i parë kishte dështuar.
“Oferta e parë, fatkeqësisht, ka dështuar sepse nuk ka pasur asnjë ofertues”, ka deklaruar ministri.
Ai ka thënë se më pas tenderi ishte rihapur me procedurë të përshpejtuar, kontrata ishte lidhur më 30 korrik 2026 dhe furnizimi kishte filluar më 18 gusht.
Gjatë përgjigjes, Vitia ka pranuar edhe rënie të nivelit të furnizimit të Klinikës së Onkologjisë krahasuar me dy vitet paraprake.
“Gjatë vitit 2026, furnizimi me barna për nevojat e klinikës së onkologjisë nuk ka qenë në nivelin e vitit 2024 dhe 2025”, ka thënë ai.
Ndër shkaqet e tjera, ministri ka përmendur mungesën e autorizimit për marketing për disa barna, vonesat në procedura dhe ofertat me çmime mbi shumën e parashikuar sipas Listës Zyrtare të Çmimeve.


