Zgjedhjet Lokale

Vitia në përmbyllje të fushatës: E diela është dita që do të fitojmë së bashku

11/12/2021 21:16
nga:Y I

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, në përmbyllje të fushatës për balotazhin e 14 nëntorit ka falënderuar aktivistët dhe vullnetarët që kanë qenë me të gjatë kësaj kohe.

“Gjatë këtyre ditëve nuk lamë rrugë pa ecur me këmbët tona, nuk lamë derë pa trokitur në çdo fshat dhe lagje të qytetit. Paraqitëm planin tonë për kryeqytetin, vizionin tonë për Prishtinën dhe kudo hasëm në gatishmëri për ndryshim dhe mikpritje të jashtëzakonshme. Faleminderit të gjithëve që morën pjesë në këto zgjedhje, mijëra qytetarë dolën për t’i shërbyer komunës tonë dhe ishte nder shumë i madh të isha në mesin e tyre. Faleminderit të gjithë atyre që punuan në zgjedhje dhe atyre që po kalojnë dhe do ta kalojnë edhe ditën e diel duke mbrojtur demokracinë tonë duke u siguruar që të gjithë të mund të votojnë”.

Vitia, në tubimin përmbyllës, ka thënë se zhvillimi i Prishtinës duhet të marrë vrull, por asesi s’duhet të humbasë mikpritja dhe shpirti kreativ i prishtinasve.

“Nuk na duhet ndryshimi vetëm në ndërtesat e shumta, por edhe më shumë në hapësirat mes këtyre ndërtesave, aty ku në fakt është edhe qyteti. Prishtina është e gatshme të ndryshojë shumëçka, por ajo që do të mbetet e pandryshuar përherë do të jetë mikpritja për të cilën njihet botërisht. Ajo që do të mbetet e pandryshuar është shpirti kreativ i qytetarëve të Prishtinës dhe do të mbetet i pandryshuar guximi që çdo herë e ka”.

Ai ka thënë se të gjithë janë mbledhur për Prishtinën për të cilën duhet bërë edhe më shumë.

“Sot jemi këtu të gjithë për Prishtinën që e duam, për këtë qytet kaq të dashur për secilin prej nesh. Ne të gjithë krenohemi me Prishtinën, me lagjet dhe rrugët e saj, kafiteritë ikonike, monumentet dhe historinë e Prishtinës. Të gjithë e dimë se mundemi edhe më shumë. Ky qytet, qyteti jonë, do të zë hapin e zhvillimit, mirëqenies dhe hapin që e kthen në qytet të jetueshëm. Qytet që na bën krenar e të cilit i shërbejmë dhe na shërben, sepse kështu janë qytetet. Kështu është edhe Prishtina”.

Vitia, që ka përsëritur zotimet që ka dhënë gjatë fushatës, deklaroi se duhet bashkuar forcat për Prishtinën duke shtuar se “bashkë ngritemi dhe bashkë shkëlqejmë”.

“Jemi bërë bashkë, sepse meritojmë më shumë dhe më mirë. Bashkë ngritemi dhe bashkë shkëlqejmë. Në këtë fushatë e kemi theksuar nevojën për të punuar si të jemi një. Kur punojmë bashkë natyrisht ne i shumëfishojmë forcat tona për të mirën e gjithsecilit në qytetin tonë të mrekullueshëm dhe për qytetin tonë të mrekullueshëm – Prishtinën. Bashkëqeverisje sepse vetëm bashkë me qytetarët mund të qeversim për qytetarët. Bashkëqeverisje, sepse nuk mund të lejojmë më që Prishtina të shndërrohet në arenë të luftërave politike”.

Ai tha se nëse do të bëhet kryetar i Prishtinës trajtimi për qytetarët do të jetë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë politike.

Arben Vitia i Vetëvendosjes ka kërkuar nga qytetarët që të dielën të votojnë me ndjenjën e përgjegjësisë për qytetin.

“Të dielën e 14 nëntorit votojmë me ndjenjën e përgjegjësisë së lartë për qytetin tonë. Votojmë po ashtu me ndjenjën e krenarisë që ka përcjellë angazhimin tonë. Votojmë për Prishtinën e jetueshme e për të gjithë pa dallim. 144 është numri i Prishtinës. E diela është dita që ne do të fitojmë së bashku. Na priftë e mbara Prishtinë e faleminderit si çdo herë Prishtinë”.