Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha të martën, më 31 gusht, se për shkak të përhapjes së variantit Delta të koronavirusit, numri i të infektuarve, për një periudhë të shkurtër kohore, është 20-fishuar.
Gjatë mbledhjes së Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, tha se deri te ky përfundim pas marrjes së rezultateve të analizave të 16 gushtit, që autoritetet kanë dërguar për testim në institutin gjerman “Robert Coch”.
“Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm vaksina e ndalë përsëritjen e një vale të re, edhe pas kësaj vale. Por deri në vaksinimin e qytetarëve në masën e formimit të një imuniteti kolektiv, ne përkundër sfidave ekonomike që mund ti kemi, shëndeti publik i qytetarëve duhet dhe do të jetë prioriteti kryesor”, tha ministri Vitia, thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga anëtarët e këtij komiteti, që u krijua për të mbikëqyrur masat, që të jenë të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave.
“Në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset të inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë) inspektorët e MINT-it (Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), sidomos inspektorët e tregut, inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës”, tha Kurti.
Më 30 gusht, Qeveria e Kosovës themeloi Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë. Ky komitet ka në përbërje mbi 20 institucione të Kosovës që përfaqësohen nga një anëtar dhe udhëhiqet nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kryeministri Kurti ka kërkuar nga ky komunitet që të paraqesë raport ditor mbi gjendjen e pandemisë, deri më 13 shtator, kur edhe përfundojnë masat e reja të pandemisë.
Së fundmi Kosova ka regjistruar rritje të madhe të rasteve të reja me koronavirus dhe vdekjeve. Më 28 gusht, u regjistruan 36 vdekje, që është shifra më e lartë e rasteve me fatalitet brenda një dite, që prej fillimit të pandemisë. Po ashtu, krahas rritjes së rasteve, është rritur edhe numri i qytetarëve të shtrirë në klinikat dhe spitalet e Kosovës. Autoritetet kanë thënë se tashmë kanë rritur deri në 1.600 kapacitetin e shtretërve në spitalet dhe klinikat e Kosovës.