Cult

Viti 1991: Jugosllavia në luftë, copa-copa drejt Evropës së Bashkuar!

12/29/2021 20:26
nga:Donika Fetahu

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1991?

Toto Cutugno në Eurovizionin e vitit 1990 që u mbajt në Zagreb, fiton me këngën “Insieme: 1992”. Me këtë këngë ai i këndon integrimit evropian. “Ma jep dorën, që të fluturojmë, se Evropa nuk është larg. Kjo këngë italiane është për ty. Bashkërisht, ta bashkojmë, ta bashkojmë Evropën”, thotë disi kjo këngë. Shqiptarët besonin në numrin 1992, sepse e simbolizonte Evropën e bashkuar, ndërsa Evropa e bashkuar nuk duhet të lejojë shkelje dhe abuzim të të drejtave të njeriut. Pastaj, Luftës së Ftohtë i erdhi fundi, Kosova ishte shpallur Republikë, e njerëzit shkonin e vinin nga Shqipëria. Evropa pra duhej të zgjohej, të mendonte për të gjithë banorët e kontinentit. Por, flinte! Kështu, shqiptarët më 1991 vuanin dhe … vazhdonin të shpresonin!

Ngjarjet kryesore që shënuan botën më 1991 janë: Mposhtet Iraku në luftën gjashtëmujore me NATO-n në Gjirin Persik; dështon grushteti rus në BRSS kundër Mikhail Gorbachevit; trupat indoneziane masakrojnë popullatën civile në Timorin Lindor; në Afrikën e Jugut merr fund epoka e tmerrshme e aparteidit; Gjermania zhvendos kryeqytetin nga Boni në Berlin … dhe, shpërbëhet BRSS nga ku dalin 15 shtete të pavarura: Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Estonia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Letonia, Lituania, Moldavia, Rusia, Taxhikistani, Turkmenistani, Ukraina dhe Uzbekistani.

Pra, komunizmi mbaroi. Në revisten “Rolling Stone” botohet një artikull ku thuhet se “komunizmi është përkulur, ngase askush nuk dëshironte të mbathte këpucë bullgare…”. Por, kjo përkulje fatkeqësisht mori me vete edhe shumë viktima. Sidomos në ish-Jugosllavi që nis të shpërbëhet po më 1991 kur Kroacia dhe Sllovenia shpallin pavarësinë. Pas 10 ditësh luftimesh në Slloveni, Armata Popullore e Jugosllavisë tërhiqet nga ky vend. Por, gjërat nuk shkojnë aq lehtë në Kroaci ku pas të ashtuquajturit “balvan-revolucija” (bllokimi i rrugëve me trungje) më 1990 dhe pas shpalljes së të ashtuquajturës Republika Serbe e Krainës, nisin luftimet në Vukovar, si dhe rrethohet e bombardohet qyteti mesjetar i Dubrovnikut që ishte në mbrojtje të UNESCO-s që nga viti 1979. Serbi Bozhidar Vuçureviq – ish-shofer i kamionit që bëhet politikan dhe ushtarak e që ka gisht në bombardimin që dënohet nga e tërë bota normale – ka thënë se “kur do të futen në Dubrovnik do ta bëjnë qytet edhe më të vjetër e më të bukur”. E tmerrshme! Forcat e ashtuquajtura jugosllave që ishin nën diktatin e Serbisë, e bombardojnë edhe zyrën e presidentit kroat, Franjo Tugjman. Po më 1991 ka demonstrata masive kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Serbi, por ato demonstrata shuhen me dhunë, duke i dërguar tanket në rrugë e duke vrarë së paku dy civilë.

Në tetor 1991 mbahet referendumi në të cilin populli shqiptar i Kosovës deklarohet për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ky shtet pranohet vetëm nga Shqipëria. Po ashtu, vazhdon fushata për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, nën kryesimin e veprimtarit, patriotit dhe intelektualit të shquar Anton Çetta. Më 28 qershor 1991, Kuvendi i Serbisë vendosi masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës. Më 21 gusht 1991, grupi i Helsinkit në Vjenë lëshoi një deklaratë ku konstatohej se arsimi shqiptar në Kosovë më nuk ekziston dhe se është shkatërruar nga Serbia. Gati të gjithë të punësuarit në sektorin publik u dëbuan nga puna, si dhe mbyllen mediat në gjuhën shqipe. Vitin e Ri 1992 në Kosovë e presin 147 500 të papunë. Këtij numri i bashkëngjiten më vonë edhe disa qindra-mijëra të tjerë. Shqiptarët marrin prapë botën në sy …

Po më 1991, në Kosovë thyhen të gjitha tabutë politike, sidomos nga “Zëri i rinisë”. Në “Zëri” botoheshin reportazhe, artikuj dhe intervista nga Shqipëria, flitej për procesin e Prizrenit, të Paraqinit dhe qindra procese tjera që i kishin përjetuar shqiptarët në kurriz, flitej për Shqipërinë, për “Newsweek”-un i cili e parashikonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për Dardanin – “valutën” e Kosovës … Pastaj, botoheshin hartat etnike shqiptare, shkruhej për helmimet, largimin e nxënëse nga shkolla, vrasjet e ushtarëve dhe civilëve shqiptarë dhe për shumë gjëra tjera të cilat kur sot i kujton njeriu i rrëqethet trupi … “Zëri” për regjimin serb ishte revistë “armiqësore”, prandaj ndëshkoheshin redaktorët dhe gazetarët e saj edhe me burgosje. “Zëri” ishte në shënjestër, sikur e tërë Kosova…

Gjërat ishin aq keq, sa që, prapë, vetëm prisnim ditët “kur do të kërcet” (edhe më zi se që krisën pjesët tjera të ish-Jugosllavisë).

Më 1991, lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, nis korrespondencën diplomatike të Kosovës. Në letrën e 6 dhjetorit 1991 që i është dërguar sekretarit të Jashtëm britanik Douglas Hurd, Rugova shkruan në cilësinë e kryetarit të Këshillit Koordinues të partive politike të Kosovës, por edhe në emër të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Rugova e falënderon vendimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane për sanksione ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Por, ankohet se meqë këto masa do ta dëmtojnë më së shumti popullin e Kosovës (më se 90 për qind shqiptarë), ndaj bën me dije se Kosovës i duhet ndihma. Sipas studiuesit Daut Dauti, më 12 dhjetor 1991, Ambasada britanike në Beograd kërkon udhëzim nga Foreign Office-i në Londër se si duhet bërë punës së letrës së Ibrahim Rugovës, i cili këtu cilësohet si pretendues shtetëror (përdoret shprehja diplomatike franceze ‘soi-disant’ që d.m.th. i ashtuquajturi apo i vetëemëruari). “Duhet t’i kthehet përgjigje apo jo? Nëse i kthehet përgjigjja, faktikisht ai do të njihej si kryetar së bashku me organet shtetërore të Kosovës. Kjo gjë nuk duhet të ndodhë. Prandaj, Foreign Office sugjeron se Rugova nuk duhet të injorohet tërësisht. Por, duhet t’i kthehet një përgjigje në ndonjë lloj forme sa për t’ia bërë me dije se letra ka arritur në cak”, ka thënë Dauti.