Ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, njëherësh ish ambasador, ka folur për dialogun gjatë vitit 2024 dhe pritjet se si ai do të zhvillohet tutje.
Në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ka qenë vit i humbur për dialogun dhe jemi edhe më larg marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
“Është vit i humbur. Jemi edhe më larg nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe njohja reciproke. Takime të kota me qëndrime “kuazi patriotike”, të sanksionuar dhe me përkeqësim të vazhdueshëm të raporteve me aleatët. Pozita negocuese e Kosovës është shumë më dobët se para një viti”, shprehet ai.
Arifi vlerëson se dialogu nuk ka ngecur me Beogradin por me aleatët, tek të cilët thotë se Kurti ka futur ndjenjën e mosbesimit dhe frymën kundër SHBA-ve dhe BE-së.
“Dialogun nuk e shoh që ka ngecur në raport me Beogradin. I ngecur ka qenë dhe i ngecur do të mbetet. Kur kemi hyrë në dialog, kurrë nuk kam shpresuar se do të ketë lëvizje nga Beogradi. Ne edhe në Rambuje edhe në Vjenë edhe gjithmonë kemi negociuar me aleatët. E, dialogu me aleatët ka ngecur. Kurti ka futur ndjenjën e mosbesimit ndaj aleatëve dhe e ka mbjellë frymën anti SHBA dhe anti BE. Me këtë qasje nuk besoj në rezultate pa thyerje të mëdha në shoqëri”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Ndërsa, sa i përket integrimeve evropiane, mungesës së njohjeve nga Qeveria dhe dështimit të anëtarësimit në KiE, Arifi thotë se ndodhi për shkak të Kurtit.
“Për shkak të Kurtit. Kurti, Osmani dhe Konjufca dërguan një dokument të zotimeve që nuk e respektuan. Kurti u premtoi Scholz, Macron, dhe Meloni se do ta dërgojë draftin e statutit në Kushtetuese, kurse në Kosovë deshi ta mbajë fjalën e vet se nuk e bën Zajednicën. Se populli dhe shteti i Kosovës e paguan çmimin Kurti nuk e pati atë shqetësim fare. Për ta rritur koritjen shtetërore, ditën e fundit e pranoi ta krijojë Asociacionin por ishte tepër vonë. Një dëm i madh për Kosovën”, ka potencuar ish diplomati.
Por, sa ka bërë Qeveria për politikën e jashtme të Kosovës, sipas Arifit?
Ai thotë se dëme plot e asnjë rezultat.
“Dëme plot. Asnjë rezultat. Mesazhet e MPJ-së janë mesazhe arrogante të një superfuqie që ka probleme me aleatët. Nëse i shikon paraqitjet e MPJ-së, më shumë të duket se ka mision të luftojë Rusinë dhe planet e saj se sa promovimin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar ish ambasadori.
Sipas tij, dështimi më i madh në diplomacinë e jashtme ka qenë nga ministrja Gërvalla.
“Dëmi më i madh është se nga diplomacia e Kosovës ministrja Gërvalla ka krijuar një “kope delesh” të dëgjueshme që i shërbejnë asaj e Kosovës s’ka rëndësi”, ka përfunduar Avni Arifi./Gazeta Blic/