Sot gjatë ditës disa media kanë publikuar një listë të anëtarëve të kryesisë së re të PDK-së ku në mesin e tyre figuron edhe emri i ish-anëtarit dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu.
Për emrin e Sejdiut në listën e anëtarëve të kryesisë së re të PDK’së, është deklaruar analisti Visar Ymeri.
Ai ka thënë se ka biseduar me Sejdiun dhe se ai i ka thënë se nuk ka asgjë në këtë drejtim.
Ymeri është shprehur se një informacion të tillë e ka demantuar edhe PDK’ja, andaj edhe sqarimi i këtij subjekti është i qartë.
“Është publikuar mëherët një listë e emrave dhe disa e atyre emrave qoftë e kanë demantuar vetë, qoftë PDK e ka demantuar për ta si në rastin e Dardan Sejdiut. Nuk e di nëse ajo listë e publikuar do të jetë listë e cila do të votohet në Këshillin e Përgjithshëm, por së paku për ata dy emra është demantuar qartë, për Dardan Sejdiun dhe Rrahman Paqarizin të cilët kanë thënë se nuk do të jenë pjesë e kryesisë së PDK’së e as nuk janë në garë. Sqarimi i PDK’së ishte për mua i qartë se nuk ka asgjë në këtë drejtim. Unë kam biseduar me Dardan Sejdiun dhe ai më ka thënë se nuk ka asgjë në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.
Përndryshe, Ymeri është shprehur se PDK po e vazhdon procesin që e kishte lënë në gjysmë ish-kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, që të largoj emrat që kanë qenë të lidhur me akuzat për korrupsuon.
“Ka një vazhdim të një procesi që e kishte nisur ish-kryetari Kadri Veseli, të largimit të emrave që kanë qenë të lidhur ngushtë me akuzat për korrupsion. Dhe po e shoh që emrat e tyre nuk janë në këtë listë në një. Shkuarja e Veselit dhe Thaçit në Hag nuk është e mirë për Kosovën, por mendoj që PDK tani e ka gjasën të tregoj se është parti përtej liderit. PDK duhet të merret me të kaluarën e tyre në qeverisje, që të mbyllin këtë kaptinë për ta hupur kaptinën e re”, ka shtuar ai.


