Komunikatori politik, Visar Xani ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rezultatit zgjedhor, duke thënë se gara e brendshme në këtë parti praktikisht është zyrtarizuar qysh më 28 dhjetor, në momentin kur u mor rezultati përfundimtar.
Sipas tij, LDK-ja e ka ditur se është në rënie dhe e ka pritur një rezultat të dobët, por jo në këtë masë. Xani vlerësoi se tash po hapet rrugë për garë brenda partisë, megjithatë mënyra se si po zhvillohet procesi nuk i ngjan garës së hapur demokratike.
“Njëra anë po thirret për garë, ndërsa në anën tjetër po shpresohet që ‘dostat mos me lëshu’. Nuk po duket shumë një garë që pret fer e demokraci”, tha Xani në Politko.
Ai ka përmendur edhe veprimin e Hykmete Bajramit, për të cilën tha se ua ka treguar sot në LDK se si jepet dorëheqja dhe si merret përgjegjësia politike.
Xani kritikoi edhe mënyrën se si po trajtohet çështja e dorëheqjes së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Nuk mund të thuash se po jep dorëheqje kur e dimë se ai po thotë se nuk ka ‘përtej dorëheqjes’. Ka dorëheqje të parevokueshme”, u shpreh Xani, duke nënvizuar se përgjegjësia duhet të merret plotësisht pas rezultatit zgjedhor.


