Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Visar Azemi, ka deklaruar se për gati 5 vjet, çmimi i rrymës është dyfishuar.
“Sa ju ka ardhë fatura e rrymës muajin e kaluar? Nëse nuk e dini, është mirë me pyet kryefamiljarin tuaj, sepse ai që e paguan edhe e ndjenë më shumë. Por kujdes sepse mundeni me e bë shumë nervoz. Sot, pas 5 viteve qeverisje, fatura e energjisë elektrike, është dyfishu në krahasim me vitin 2021”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, çmimi i rrymës është rrit mbi 100 %, ndërkohë që pagat kanë mbetur akoma të ulta.
Në një video të postuar në Facebook, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se Qeveria e Vetëvendosjes kishte premtuar stabilitet energjetik, por ka sjellur vetëm shtrenjtim e varfëri.
“Qeveria ka premtuar stabilitet energjetik, por na ka sjellë vetëm shtrenjtim, varfëri e kaos. Çmimet e energjisë elektrike kanë me vazhdu me u rrit përderisa na nuk flasim dhe nuk veprojmë për zgjidhje konkrete”, ka thënë Azemi.
Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjidhje dhe plan për energji.
“Do ta ndërtojmë centralin me gaz. Do të investojmë në termocentrale ekzistuese dhe do të hapim mundësi për investime në energji solare dhe ato të erës. Vetëm kështu e zgjidhim krizën tonë energjetike, që po na ngulfat tash e sa vite”, ka thënë Azemi.


