Lajme

Viola von Kramon: Raporti i PE-së i dërgoi një porosi të fuqishme Kosovës dhe Serbisë

04/26/2023 16:34
nga:Astrit Gashi

Eurodeputetja dhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Kramon, tha sot se si Kosovës, ashtu edhe Serbisë po u kërkohet “të bëjnë ndryshime në fushën e brendshëm, para se të shohim hapat e ardhshëm drejt integrimit në BE”, dhe shtoi se zgjedhjet, të cilat u zhvilluan fundjavën e kaluar në 4 komuna në veri të Kosovës, ishin një hap prapa, shkruan GazetaBlic.

Siç tha ajo, raporti i PE-së për Kosovën dhe Serbinë dërgon një mesazh të fortë për rajonin.

“Si fillim flet për angazhimin e Parlamentit Evropian për zgjerim, por përmes monitorimit të procesit, që për të dyja vendet do të thotë se ne po kërkojmë ndryshime në frontin e brendshëm, përpara se të shohim hapat e ardhshëm drejt integrimit në BE. Pritjet e mia ishin më të mëdha, shpresoja shumë që si rezultat i marrëveshjes këtu në Bruksel, e më pas në Ohër, do të kishte një moment kyç në aspektin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit”, tha Von Cramon.

Ajo vlerësoi se zgjedhjet e fundjavës së kaluar ishin një hap prapa dhe larg marrëveshjes.

“Më vjen keq për këtë, shpresoja që Lista Serbe do të merrte pjesë dhe se do të ishte një shtysë pozitive për dialogun e mëtejmë. Mendoj se është një mundësi e humbur, një shans i humbur. Kemi parë gjithashtu se ka pasur frikësim nga Beogradi, por edhe nga veriu i Kosovës”, ka theksuar Viola von Kramon.

Duke folur për komentet e kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, të cilat ajo i bëri pas postimeve të Von Cramon në Twitter, ajo tha se nëse kryeministrja flet në mënyrë të paqytetëruar, nuk të krijohet përshtypja se ajo është dikush që ka interes bashkëpunimi me përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe se kjo mund të jetë shenjë se Serbia nuk është e interesuar për perspektivën evropiane.

Ana Brnabiq i tha se raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën “duhet të ketë turp”, pasi Von Kramon deklaroi se bojkotimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës është në kundërshtim me standardet demokratike.

“Komunikimi i Ana Brnabiq në Twitter flet vetë, nuk kam nevojë ta komentoj”, tha Von Kramon.