Futbollisti i Real Madridit, Vinicius Junior, ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij do të largohen nga fusha nëse janë viktima të fyerjeve raciste.
Reprezentuesi 24-vjeçar brazilian ka qenë vazhdimisht objektiv i abuzimeve raciste nga tifozët kundërshtarë në stadiume dhe në rrjetet sociale.
Në mars, sulmuesi shpërtheu në lot gjatë një konference emocionale për shtyp, kur tha se problemi i racizmit po përkeqësohej sepse autorët mbetën të pandëshkuar dhe se ai donte “të luante futboll gjithnjë e më pak”.
“Ne me të vërtetë duhet të largohemi nga fusha në mënyrë që gjërat të ndryshojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Vinicius për CNN.
“Në klub ne flasim më shumë për këtë. Jo vetëm unë, por të gjithë (lojtarët) kanë thënë që nëse kjo ndodh, herën tjetër të gjithë duhet të largohen nga fusha. Kështu që të gjithë ata njerëz që na fyejnë duhet të paguajnë shumë më tepër – ndëshkimi të jetë i madh”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


