Lajme

Vinca: Epiteti i madh përdoret në mënyrë abuzive, por kurrsesi për Kadarenë, askush s’e di pse s’e fitoi Nobelin

07/01/2024 20:30
nga:G B

Ismail Kadarenë, shkrimtarin që vdiq sot, e kishte njohur personalisht në vitin 1974 – 50 vjet më parë, por veprën e tij edhe më herët.

Agim Vinca, poeti dhe profesor universitar, foli në Frontal në T7 për Kadarenë, për të cilin tha se “i ka kaluar edhe kufijtë kombëtar dhe është bërë i përmasave globale”.

“Unë librin e fundit e kam botuar ‘Jetë e vdekje përqafuar’… dhe më të mëdhenjtë, vjen dita kur i thonë lamtumirë jetës fizikisht. Jeta dhe vdekja krahas ecin gjithmonë por vdekja e Kadaresë është rënie e madhe, merr fund jeta fizike e një krijuesi, shkrimtari e autori të madh që ka bërë shumë shërbime kombit shqiptar, por i ka kaluar edhe kufijtë kombëtar dhe është bërë i përmasave globale”, tha Vinca.

Ai tha se “epiteti i madh ndonjëherë përdoret në mënyrë abuzive, por në këtë rast kurrsesi jo”.

“Atë e bën të madh vepra e tij letrare. Ka një korpus të madh letrar. Vepra e tij është e madhe si vëllim, si sasi, por edhe si vlerë. Poezia, sepse ai ka dalë në skenën letrare fillimisht si poet, librin e parë e boton si gjimnazist në Gjirokaster si 12 vjecar. Ka bërë bum si poet në Shqipëri edhe pse atëhere s’lexohej sepse s’kishte komunikim”, tha Vinca.

Vinca tregoi se si ishte njohur me veprën e Kadaresë, e më pas me vetë shkrimtarin.

“Une e kam njohur fillimisht veprën e Kadaresë. Isha student në Konvikt në Prishtinë dhe u botua në vitin 1969 libri me titullin Vjersha dhe Poema. Kishte botuar Frymëzimet Djaloshare më 1954, Ëndërrime më 1957, etj. Ky ishte opusi i tij krijues si poet kur u botua libri Vjersha dhe Poema. Në vitin 1968 fillon faza e integrimit kulturor te shqiptareve. Une e bleva atë libër, blija cdo libër shqip dhe e lexova në konvikt. Ishte për mua një përjetim, një zbulim. Këtu tek ne shkruhej në atë kohë një poezi e mbyllur pa identitet. Ajo ishte më e hapur, më konkrete. Ishte inovatore, moderne dhe e freskët. Dallonte shumë nga poezitë e mëparshme në Tiranë. Kadareja solli një tematikë motive të reja, mjete të reja shprese dhe guxim krijues. Libri Shekulli im ishte shumë i guximshëm për kohën. Kryesorja ishte se Kadareja sillte shikim të ri të realitetit socialist të Shqipërise duke i zbuluar disa anë që s’i kishin zbuluar të tjerët. Kadareja do të bënte një biografi shpirtërore të Shqiptarëve. Pasi e lexova librin, e shkrova një recension. E quajta me entuziasmin tim te studentit, manifestë e poezisë Shqipe. Atë recension e dërgova për botim te revista fjala. Thashë që është shkrimtar i kalibrit Evropian. Ky formulim pati reagime, thanë që është teprim dhe nuk qëndron. Dhe u zhvillua një polemikë”.

Vinca kujtoi se Kadare “është nominuar për çmim nobel” disa herë, ndërsa tha se “është dashur ta fitonte”.

“Jo pse është shkrimtar shqiptar por vepra e tij është me vlerë. Askush nuk e di pse nuk e fitoi. Ne shqiptarët jemi të këqinj ndaj vetës. Edhe kur e ka marrë çmimin prestiogjioz Man Book Prize në Skoci,  kanë shkruar letra kundër nga bashkëkombasit e tij”.

Vinca tregoi edhe për takimin e parë me Kadarenë.

“Fizikisht e kam takuar në shkurt të 1974 në Tiranë, para 50 viteve. Une shkova me kolegë të mi për magjistraturë te Mitrush Koteli. U vendosa në hotel. Me kolegun tim shkuam tek lidhja e shkrimtarëve dhe e takuam. Ishin dhe s’ishin i njëjti me shkrimet e tij. Ishte i mbyllur si tip, nuk fliste shumë. Kadareja ështe shkrimtar i hapur, e hapi poezinë shqipe. Ja hapi horizontet. Kurse si njeri ishte tip i rezervuar. Kjo lidhet edhe me Gjirokastren, sepse është e tillë. Une edhe po të shkoja në hënë me një libër, do ta merrja Kronikë në Gur. Askush nuk e përshkroi vendlindjen si Ismail Kadare. S’bën pa e lexu gjeneralin e ushtrisë së vdekur. S’bën pa e lexu Kështjellen. Duhet Kronikën në Gur, Pashallëqët e mëdha. Dimrin e Vetmisë së madhe që është Roman epope. Sagë”, tha ai.

Kadare, sipas Vincës, “mund të quhet shkrimtar fatlum”, për një arsye.

“Kadareja është kthyer përfundimisht nga Parisi qe 3 apo 4 vjet. Ka shkuar për vizitë tek njëra nga vajzat por mund të quhet shkrimtar fatlum sepse e ka rrumbullakësuar veprën e vet. Jeta e njeriut ka një kufi. Ai i mbushi 88 vjet me 28 janar të këtij viti. Për mua ishte e papritur, mu duk lajm i pabesueshëm”.