Lajme

Vila përfshihet nga zjarri në Brezovicë, policia jep detaje

13 orë më parë
nga:G C

Një vilë dhe një objekt banimi janë përfshirë nga flakët pasditen e së dielës në Brezovicë.

Lidhur me rastin ka reaguar Policia e Kosovës, duke konfirmuar se nuk ka persona të lënduar.

Zëdhënësi për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se rreth orës 15:11 është raportuar për zjarrin.

Ndërsa Njësia e Zjarrfikësve dhe patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Sot rreth orës 15:11 kemi pranuar një informatë se në zonën e Brezovicës ka shpërthyer një zjarr, i cili ka përfshirë një vilë dhe një objekt banimi. Lidhur me zjarrin, është njoftuar Njësia e Zjarrfikësve, ndërsa një patrullë policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për lëndime në njerëz”, ka thënë Veseli.

Gjatë muajit mars 2025, Kosova është përballur me një numër të shtuar të zjarreve, veçanërisht në zona pyjore dhe fushore.

Është e rëndësishme të theksohet se ndezja e zjarreve në pyje dhe toka pyjore është e ndaluar me ligj. Shkelësit mund të përballen me gjoba që variojnë nga 500 deri në 20,000 euro, varësisht nga dëmi i shkaktuar.