Viktima pjesëmarrëse 05, në gjykimin ndaj Salih Mustafës për krime lufte, tha se kanë heshtur këto vite nga frika, mirëpo e dinë se nuk janë të vetmit që kanë vuajtur.
“Kemi heshtur për këto vite prej frikës, mirëpo ne e dimë që nuk jemi të vetmit, se kemi vuajt”, tha ai.
Në seancën e së hënës në gjykimin ndaj Mustafës, kësaj viktime i është dhënë mundësia të shpreh mendimet dhe shqetësimet, duke iu dhënë në dispozicion një orë.
Për të njëjtin, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia, tha se ajo çka do të thotë në sallë, nuk do të konsiderohet si provë përveç rastit kur trupi gjykues e konsideron të nevojshme ta thërras si dëshmitar.
Pjesa e parë e deklarimit të tij u bë në seancë private, për shkak se u tha se mund të përmbajë të dhëna që do të dërgonin në identifikimin e tij.
Pasi përfundoi pjesën e parë, në seancë publike viktima me kodin 05, ka deklaruar se si viktimë pjesëmarrëse në këtë gjykim e pati rastin të flas sot për familjen e tij.
Sipas tij, shumë familje kanë humbur anëtarët e familjes. Tutje, tha se mendimet dhe lutjet e tij janë me familjet që kanë humbur anëtarët e tyre e iu kanë të zhdukur.
“Na eventualisht e kemi gjetur viktimën dhe kemi mundur me varros si një anëtar të dashur të familjes. Por, mundem me imagjinu se sa zor është …”, tha ai, e pjesa tjetër nuk u dëgjua pasi u kalua menjëherë në seancë private.
Ndryshe, këtë gjykim Mustafa dhe gjykatësi rezervë Vladimir Mikula, e kanë ndjekur me video-lidhje.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës pritet të vazhdojë nesër me dhënien e deklaratës hapëse të mbrojtjes.
Gjykimi ndaj Salih Mustafës, mbrojtësja e viktimave thotë se pas shenjës “seancë private” fshihen histori dhimbjesh, humbjesh e traumash
Mbrojtësja e viktimave në gjykimin e Salih Mustafës, Anni Pues, ka thënë se pas shenjës “seancë private” fshihen histori dhimbjesh, humbjesh dhe traumash.
“Dhe e kemi me merak që këto të jenë informacione të ditura publikisht. Viktimat pjesëmarrëse në proces kanë ndjerë tensionin dhe stresin e përjetimit të kujtimeve të ngjarjeve të vitit 1999”, ka thënë ajo ndër të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së hënës në gjykimin ndaj Mustafës për krime lufte, pritet të dëgjohen mendimet dhe shqetësimet e viktimës pjesëmarrëse 05, që i janë dhënë në dispozicion një orë.
Për të njëjtin, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia, tha se ajo çka do të thotë në sallë, nuk do të konsiderohet si provë përveç rastit kur trupi gjykues e konsideron të nevojshme ta thërras si dëshmitar.
Ndërkaq, mbrojtësja e viktimave ka thënë se do të bëj parashtrim para se viktima do t’i drejtohet trupit gjykues.
Ajo ka deklaruar se dita e sotme është një ditë ku u jepet mundësi viktimave të japin mendime shtesë dhe që në fillim të gjykimit kanë parashtruar disa pika kryesore, që kanë të bëjnë me viktimat që janë pjesëmarrës në këtë proces gjyqësor.
Sipas saj, në seancën e sotme ajo do të trajtoj disa çështje që janë të rëndësishme për viktimat pjesëmarrëse në këtë shqyrtim dhe më pas viktima do t’i paraqes pikëpamjet dhe shqetësimet e veta, si dhe do ta plotësoj deklaratën e dhënë për prokurorinë.
“Për ata që e përcjellin këtë proces, mbase do të jetë me vlerë të dinë që fjala ime do jetë në seancë publike. Pikëpamjet e paraqitura nga viktima, në pjesën më të madhe do të duhet të paraqiten në seancë private sepse është e pamundur të veçohen rrethanat identifikuese”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se viktima do të mbaroj paraqitjen e vet me një pikëpamje të përgjithshme që mund të paraqiten në seancë të hapur.
“Qëllimi kryesor është t’i jepet mundësi publikut që deri diku të kuptoj pikëpamjet”, ka thënë ajo.
Sipas Pues, si dëshmitarë viktimat kanë dhënë informacione të drejtpërdrejta për krimet që kanë përjetuar dhe si kanë pasur ndikim në jetën e tyre.
“Për ata që e përcjellin nga larg dhe e shikojnë nga Kosova, dua të them se është e thellë brengosja që pjesë të madhe të prokurorisë është dashur të paraqiten në seancë private pa i dhënë mundësi publikut t’i përcjell këto procedura dhe të dëgjoj tërësisht parashtrimet. Kemi dëgjuar si janë përshkruar akte torturash dhe sa tronditëse janë”, ka thënë ajo.
Ajo tha se kanë dëgjuar dëshmitarë të shpjegojnë kufomë dhe gjendjen e kufomës, se kanë parë fotografi të kufomës dhe kanë dëgjuar dëshmitar si kanë përshkruar sa keq është trajtuar ky njeri, e se si ka qenë më shumë i vdekur se i gjallë ndërkohë që është mbajtur në Zllash nga njësiti BIA.
Tutje, tha se viktimat e kuptojnë se përvojat e tyre nuk janë ngjarje të veçuara.
“Lufta dhe përpjekja e Kosovës ka marrë shumë jetë. Për viktimat pjesëmarrëse këtu është e rëndësishme të theksohet se ata janë pjesë e kësaj të shkuare, të tashmes dhe ardhmes së Kosovës. Ajo që duan është të njihet ajo që ka ndodhur, të kuptohet dhe të jenë në gjendje të thyejnë heshtjen”, tha ajo.
Sipas saj, e kupton se perspektiva e viktimave në përgjithësi i fshihet publikut për shkak të nevojës për mbrojtje dhe ata që na kanë përcjell rregullisht e njohin shumë mirë shenjën seancë private në ekran.
“Pas kësaj shenje, fshihen histori dhimbje, humbje dhe traume. Dhe e kemi me merak që këto të jenë informacione të ditura publikisht. Viktimat pjesëmarrëse në proces kanë ndjerë tensionin dhe stresin e përjetimit të kujtimeve të ngjarjeve të vitit 1999”, ka thënë ajo.
Ajo tha se në emër të viktimave që janë paraqitur para trupit gjykues dëshiron të jap fjalë falënderimi sepse e kanë ndjerë që kanë marrë mbështetjen e nevojshme që kanë marrë nga kjo gjykatë.
“Është e rëndësishme që secili prej tyre të ketë hapësire, të tregoj jo vetëm historinë e vet, por edhe të ndjej që kjo histori kontribuon në përpjekjet e trupit gjykues për të gjetur të vërtetën. E vërteta është aspekti më i rëndësishëm”, tha ajo.
Tutje, tha se viktimat kanë përjetuar një periudhë të vështirë emocionale gjatë muajve të fundit. Por, tha se kanë përjetuar edhe ndjenja pozitive sepse më në fund u është dëgjuar zëri, por me frikë e merak.
“Ne dëshirojmë edhe të pranojmë përpjekjet e trupit gjykues për të realizuar të drejtat që kanë viktimat në të drejtën ndërkombëtare. Jo vetëm të drejtën për të vërtetën, por edhe për zhdëmtim”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se do të kërkojnë caktimin e një eksperti për llogaritjen e dëmit material.
“Do të përcaktonte shumën e plotë të llogaritjes së dëmit material dhe për këtë mendojmë se duhet të caktojmë një ekspert”, ka thënë ajo.
Pas fjalës së saj, për fjalën e viktimës është kaluar në seancë private pasi përmban të dhëna personale që do të rrezikonin masat mbrojtëse të viktimës. Por, u bë e ditur se pjesa e fundit e fjalës së tij do të parashtrohet në seancë publike.
Gjatë paraqitjes së çështjes së prokurorisë, këta të fundit kanë dhënë deklaratën hyrëse dhe janë dëgjuar 13 dëshmitarë.
Pas njoftimin për mbylljen e çështjes së prokurorisë, mbrojtja e Salih Mustafës kishte paraqitur mocion për rrëzimin e akuzave, mirëpo një mocion i tillë ishte refuzuar nga trupi gjykues.
Pas kësaj, janë mbajtur konferencat përgatitore për mbrojtjen që për qëllim kanë lehtësimin e përgatitjeve për fazën e ardhshme të gjykimeve.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi


