Lajme

Viktima e dhunimit në një vilë në Novobërdë ishte grua, Prokuroria nis hetimet për identifikimin e kryerësve të kësaj vepre

10/21/2024 11:40
nga:N K

Një rast dhunimi u raportua të shtunën në organet e rendit.

Policia njoftoi se ky rast dyshohet se ka ndodhur në një vilë në Novobërdë, ndërkaq nuk u dhanë detaje rreth gjinisë së viktimës.

“Novobërdë / 19.10.2024 – 22:00. Dyshohet se rasti ka ndodhur në një vilë. Me vendim të prokurorit viktima është dërguar në strehimore dhe rasti është duke u hetuar”, u bë e ditur në raportin e policisë.

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Gjilanit në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se viktima është e gjinisë femërore.

E njëjta sipas Prokurorisë është dërguar për ekzaminim gjinekologjik.

“Referuar pyetje tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka autorizuar policinë që të ndërmarrin veprime hetimore, në mënyrë që të identifikohet/en kryesësi/it e kësaj vepre penale. Nga prokurori kujdestar rasti është kualifikuar si ‘’Dhunim’’ dhe me urdhër të prokurorit e dëmtuara është dërguar në ekzaminim gjinekologjik”, ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Liridona Xheladini.

Ajo ka shtuar se rasti vazhdon të jetë në procedurë hetimore.