Pas dy ditësh seanca që zgjatën disa orë, Apeli i GJKKO pritet që të shpallë sot në orën 10:00 vendimin për ndryshimin ose jo të masës së sigurisë për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në seancën e së mërkurës që zgjati më shumë se 3 orë, Veliaj i kërkoi gjykatës heqjen e masës së arrestit në burg, ndërsa pretendoi se provat e paraqitura një ditë më parë nga Prokuroria flisnim vetëm për përgjimet e kryebashkiakut me familjarët e tij, por nuk provonin asnjë shkelje ligji nga ai.
Veliaj i kujtoi SPAK edhe sulmet publike të Sali Berishës dhe faktin që nuk morën asnjë masë ndaj tij.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SAK, por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen.”, mësohet të ketë thënë Veliaj.
Seanca në Gjykatën e Apelit të Posaçëm nisi të martën në orën 10:00. Edhe biznesmeni Elman Abule, që mbahet njësoj si Veliaj i arrestuar, kërkoi lehtësim të masës së sigurisë. Ndërkohë prokurorët e posaçëm, Ols Dado dhe Altin Dumani kërkuan vijimin e masës arrest në burg për Veliajn, duke argumentuar se edhe nga qelia ka shantazhuar drejtësinë përmes mediave të caktuara.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtjes të kryebashkiakut i kërkuan gjykatës shfuqizim të masës së arrestit në burg ose ndryshim me një masë më të lehtë sigurie duke ofruar edhe garanci pasurore.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 Shkurtit, pasi u arrestua nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Erion Veliaj në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës, ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxën, biznesmenë dhe organizata jo fitimprurëse të lidhur me të për përfitimin e shumave të mëdha monetare.