Sporti

Prizreni-16 mposht Pejën dhe kualifikohet në finale

09/03/2021 18:27
nga:Mergim Rreci

Skuadra Prizreni-16 është finalisti i parë i turneut të Superkupës së Kosovës në basketboll, derisa ka shkruar një histori në klub, duke u kualifikuar për herë të parë në një finale.

Në ndeshjen gjysmëfinale të luajtur të premten në Prishtinë, ekipi prizrenas ka triumfuar ndaj Pejës me rezultatin 96:85.

Për Prizrenin-16, kjo është fitorja e dytë në këtë turne, pasi në çerekfinale e eliminoi edhe skuadrën e Dritës.

Ivan Koljevic ishte më i dalluari te prizrenasit, pasi ndeshjen e mbylli me 24 pikë e nëntë asistime.

Ndërsa, pikë dyshifrore realizoi edhe Urim Zenelaj që krahas 20 pikëve i shtoi edhe shtatë kërcime derisa Arti Hajdari shtoi 14 pikë.

Te Peja, që në çerekfinale e eliminoi Sigal Prishtinën, më i dalluari ishte Dardan Berisha me 26 pikë të shënuara, i përcjellë nga Henrik Shirko me 22 sosh.

Në finale, Prizreni-16 e pret fituesin e ndeshjes së dytë gjysmëfinale që luhet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës prej orës 19:00.