Lajme

Vettingu/ Miftaraj: Qeveria t’i bindë partitë opozitare që të jenë pjesë e këtij procesi

06/29/2022 15:00
nga:G B

Vettingu sot ka bërë bashkë Qeverinë e PDK-në në një takim, për të diskutuar për këtë proces, raporton Gazeta Blic.

Derisa PDK kërkoi që procesi të diskutohet në Kuvend, LDK refuzoi takimin me kryeministrin Kurti, e AAK do të takohet me të.

E, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për Gazeta Blic e ka quajtur lajm të mirë ftesën pozitive të PDK-së për procesin e Vettingut, derisa thekson se njësoj duhet të veprojë edhe LDK.

“Përderisa është lajm i mirë që PDK ka pranuar ftesën dhe është përgjigjur pozitivisht për të qenë pjesë e grupit punues të themeluar nga Kuvendi për të procesin e Vettingut, të njëjtën rrugë duhet të ndjek edhe LDK. Përgjigja e LDK në këtë fazë nuk duhet parë si refuzim, por si kërkesë që kjo temë të diskutohet në Kuvend”, potencon ai.

Miftaraj për Gazeta Blic vlerëson se Qeveria e ka për detyrë që t’i bindë partitë opozitare që të jenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për sundimin e ligjit, derisa Vettingu kërkon amandamentim të Kushtetutës dhe opozita e minoritetet e kanë obligim pjesëmarrjen.

“Përderisa, Vettingu kërkon amandamentim të Kushtetutës, pjesëmarrja e opozitës dhe minoriteteve është obligim, andaj është detyrë e partisë në pushtet që të zhvillojë dialog konstruktiv për të bindur opozitën që të jetë pjesë e këtij procesi tejet të rëndësishëm për sundimin e ligjit”, deklaron Ehat Miftaraj./Gazeta Blic/