Lajme

“Vettingu do të jetë i përhershëm”

10/27/2021 09:18
nga:M K

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka komentuar pjesën për Vettingun në raportin e Komisionit Evropian si dhe ndërprerjen e komunikimit me Ministrinë e Drejtësisë nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sallahu theksoi se është i bindur që problemi i mos-komunikimit është tek reforma në sistemin e drejtësisë dhe Vettingun.

“Unë jam i bindur që problemi i tyre është me Vettingun, ose reforma në sistemin e drejtësisë. Problemi i mos-komunikimit me Ministrinë e Drejtësisë është Vettingu dhe reforma në drejtësi”, tha Sallahu.

Ai u shpreh se në të gjitha proceset, prokurorët do të ftohen për të dhënë kontributin e tyre, por nuk është në kompetencën e tyre që t’i sjellin me patjetër nëpër grupe punuese e mbledhje.

“Ne si ministri do t’i ftojmë, është çështje e tyre nëse vijnë ose jo. Nuk është në kompetencën tonë që ata me i sjell me zor këtu”, tha Sallahu, për Telegrafin.

Sallahu tha se nga prokurorët kanë kërkuar punë dhe për këtë qëllim kanë shtuar edhe bashkëpunëtorët.

“Nuk ka njeri të gjallë që mundet me ndal një reformë që e zhbllokon prokurorinë prej një ngufatje të mos punës së tyre, e ministrja Haxhiu e unë kemi lobuar ditë e natë që me ju shtu edhe KPK-së dhe KGJK-së nga 50 bashkëpunëtorë, për me shpejtu zgjidhjen e lëndëve”, theksoi ai.

Zëvendësministri i Drejtësisë ka komentuar edhe pjesën e raportit të KE-së për procesin e Vettingut.

Sipas tij, ata nuk kanë pasur të gjitha informacionet në lidhje me procesin e Vettingut, megjithëse ai tha se i kanë adresuar të gjitha informacionet, përfshirë edhe koncept-dokumentin.

“Ne kemi komunikime edhe i kemi adresuar të gjitha. E kanë pasur edhe koncept-dokumentin, problemi është qysh e lexon. Unë nuk marrë përgjegjësi qysh e lexon ti raportin, marrë përgjegjësi qysh e lexoj unë. Fillimisht formohet një Komision i jashtëm, është Vettingu shkallor”, tha Sallahu.

Tutje ai shpjegoi se, “Fillimisht shkojnë KPK-ja prokurori i shtetit, pastaj vijnë të tjerët. Nuk është si në Shqipëri, nuk është i menjëhershëm. Krejt këto komisione që bëjnë Vettingun nga jashtë, kanë me u bë pjesë e sistemit gjyqësor e prokurorial. Është Vetting i përhershëm dhe shkallor. Ka shkallim fillimisht, e pastaj është Vetting i përhershëm”.

Sipas Sallahut, Vettingu do të jetë i përhershëm.

“Sidomos Zyra e BE-së dhe Raporti i Progresit thonë se nuk ekziston Vetting i përhershëm. Do të bëhet vetting i përhershëm sepse shkruan shumë qartë në koncept-dokument. Të gjithë e kanë koncept-dokumentin, e kanë edhe në gjuhën angleze. A e kanë lexu apo jo nuk e di dhe nuk marrë përgjegjësi, unë marrë përgjegjësi vetëm për atë që kemi shkruar”, tha Sallahu.

Sallahu theksoi se reforma në drejtësi do të bëhet dhe se kërkesa e tij e vetme është që të punohet sa më shumë, e secili ta kryej punën e vet.

“Ne nuk jemi ardhur këtu me bë rahati, nuk e kemi as në program zgjedhor, as në Qeveri e as në ministri për me i kriju dikujt rahati. Ne jemi me kriju kushte të punës, edhe me punu sepse krimi është i madh e mos-puna është rrit. Prandaj, duhet secili të kryej punën e vet”, tha Sallahu.