Lajme

Vetoja greke ndaj Shqipërisë, Begaj: Si puna student-pedagog, ke punuar mirë por ngele

12/14/2023 13:03
nga:N K

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj e ka krahasuar veton e Greqisë ndaj Shqipërisë për negociatat me historinë e studentit me pedagogun.

Nga Bullgaria ku ndodhet për vizitë zyrtare, kreu i shtetit shqiptar tha se në të gjitha takimet ndërkombëtare që ka patur, është lavdëruar puna e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në, por në mënyrë të pakuptueshme “ngel në klasë” në momentin e fundit.

“Në çdo takim ndërkombëtar që kam pasur është vlerësuar jashtëzakonisht shumë Shqipëria për punën që ka bërë dhe është folur jashtëzakonisht shumë për profesionalizmin e treguar nga ekipi shqiptar. Çuditërisht ndodh si puna e studentit që pedagogu i thotë gjatë gjithë vitit është i shkëlqyer, ke punuar shumë mirë, dhe te nota e fundit e ngel në klasë”, tha presidenti shqiptar, raporton KlanTv.

Begaj thotë se procesi i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit është investim gjeostrategjik, ndërsa për Shqipërinë anëtarësimi në Bashkimin Evropian është jetik dhe strategjik.

“Procesi i zgjerimit është investim gjeostrategjik i BE, ndërsa për ne është jetik dhe strategjik. Është ëndërr për t’u përmbushur. Siguroj se do vazhdojmë të jemi studentë të dalluar, do trokasim në dyert e BE dhe kur të hapet dera besoj se do jemi të lutur të futemi”.

Presidenti Begaj vlerësoi edhe Bullgarinë që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces.

“Bullgaria më së miri e ka bërë këtë, e ka hapur derën, na ka mbështetur. Ne duhet të jemi mirënjohës”.

Këto komente, Presidenti Bajram Begaj nga Sofja i bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin bullgar.

Greqia nuk firmos hapjen e kapitujve të parë të Shqipërisë me BE-në, duke vendosur veto për shkak të çështjes Beleri.

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara votimeve të 14 majit nën dyshimet për shitblerje vote, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet janë mbyllur dhe ka nisur procesi ndaj tij nën akuzën për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Edhe pse u shpall fitues, ai nuk ka mundur të bëjë betimin, akt i cili do ta zyrtarizonte si drejtues të bashkisë.