Lajme

“Vetë-menaxhimi është Asociacion”, VV-ja të heshtur ndaj deklaratës së Lajçakut, presin Kurtin për raportim në Kuvend

03/21/2023 20:20
nga:Genita C

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbo, Miroslav Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Përderisa kryeminsitri po vazhdon ta quaj “vetmenaxhim”, Lajçak thotë se: “; Vetmenaxhimi është formimi i Asociacionit”.

Lidhur me këtë GazetaBlic ka kontaktuar me zëdhënsin e Lëvizjs VetVendosje, Arlind Manxhuka i cili tha se kundëpërgjigja më e mirë është reagimi i fundit i kryeministrit Kurti.

Kurti tregoi sot se Vuçiq ka refuzuar po ashtu ofertën e tij që e ka quajtur bujare të “vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.

Shefi i Qeverisë shpjegoi në Twitter se oferta e tij kishte të bëjë me një shoqatë që ai vetë do ta hartonte dhe propozonte.

“Pas refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe para se të refuzonte përsëri nënshkrimin e saj me Aneksin e 18 Marsit, Presidenti i Serbisë refuzoi ofertën time bujare të vetëmenaxhimit për serbët, në një asociacion që unë do ta hartoja dhe propozoja”, tha Kurti.

“A është ai Dr Jo apo Z. Nyet? Epo, ne e dimë se ai nuk është mjek”, pyeti me ironi Kurti.

Edhe deputetja e VV-së, Mirlinda Sadiku nuk dha ndonjë përgjigje për deklaratën e Lajçakut, por Sadiku tha për GazetaBlic se kryeminsitri Kurti do të raportojë të enjten në Kuvend për të gjitha dilemat.

“Pasnesër kemi raportimin e KM KURTI në Kuvend të RKS dhe besoj që adresoj paqartësitë,dilemat dhe çështje të caktuara”, tha shkurt Sadiku për GazetaBlic.

GazetaBlic ka kontaktuar edhe me deputetë tjerë të VV-së, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje duke arsyetuar se janë në udhëtime, ndërsa të tjerë nuk ishin në dijeni se çfarë ka deklaruar sot Lajçak.

Kujtojmë se, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se marrëveshja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Në një intervistë që Lajçak dha për Radion Evropa e Lirë dhe Euronews-in Serbi – të parën prej se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan për të zbatuar Marrëveshjen e BE-së, më 18 mars në Ohër – ai nënvizoi se të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Aty bën pjesë edhe Neni 4, i cili thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Lajçak theksoi se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai pranoi se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta.

Por, ai tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

Lajçak paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë së shpejti, për të filluar, siç tha, punën për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes.

Në intervistë, ai foli fillimisht për pajtimin e arritur në Ohër dhe për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.

Lajçak: Kemi qenë më ambiciozë, por Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme