Lajme

Vetingu / Lumir Abdixhiku refuzon Kurtin, Haradinaj takohet

06/29/2022 11:42
nga:N M

Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që ka pasur me kryetarin e PDK Memli Krasniqi për procesin e vetingut, por ka njoftuar edhe për takimet e tjera me liderët e opozitës, raporton Gazeta Blic.

Sipas njoftimit LDK nuk ka pranuar të takohet me Kurti e  Haxhiun për këtë temë.

Kryetari i AAK-së sipas tyre ka konfirmuar ftesën dhe takimin.

Njoftimi i plotë:

Pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, është takuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqi.

Së bashku me Ministren e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu dhe Zëvendësministren znj.Nita Shala, Kryeministri Kurti foli për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vetingun në sistemin e drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, respektimin e standardeve evropiane, si dhe të drejtat e njeriut, Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar kërkesë në Komisionin e Venecias, me qëllim të dhënies së opinionit për Koncept Dokumentin për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe draftin e amendamenteve kushtetuese.

Më datë 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për Vetingun.

Me qëllim të njoftimit të mëtejmë lidhur me këtë proces, koordinimit të përbashkët dhe përfshirjes së gjithë akterëve, Kryeministri Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar takimin me Kryeministrin Kurti, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se do të japin kontributin e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Dalin fotografitë nga takimi i Krasniqit me Kurtin, e pranishme edhe Albulena Haxhiu