Lajme

Vetëvendosje ‘pikë e pesë’ në Vushtrri, fraksionet po e mbajnë peng emrin e kandidatit për kryetar komune

06/08/2021 13:05
nga:N M

Lëvizja Vetëvenosje, Dega në Vushtrri ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidat i këtij subjekti politik për kryetar të komunës së Vushtrrisë, në zgjedhjet lokale.

Gazeta Blic ditë më parë ka raportuar se kandidat potencial nga VV në Vushtrri, mund të jetë mjeku Artan Krasniqi.

Por, kandidatura e tij është kundërshtuar ashpër nga anëtari i Kryesisë së LVV-së në këtë komunë, Burim Rexhepi i cili në një postim në faqen e tij në Facebook ka mohuar se Artan Krasniqi është kandidat i kësaj partie në garën e zgjedhjeve lokale, për të marrë drejtimin e komunës së Vushtrrisë për një mandat katër vjeçar.

Rexhepi që njëherit është edhe Shefi i Shtabit Zgjedhor lokal e edhe anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, ka treguar edhe për statutin e LVV-së lidhur me procedurat e përzgjedhjes së kandidaturave.

“Nuk na e përcaktojnë kandidatin as portalet, as kundërshtarët politik, e as dëshirat e individëve dhe grupeve të caktuara”, ka shkruar ndër të tjera Rexhepi.

Gazeta Blic ka kontaktuar edhe me kryetarin e degës së LVV në Vushtrri, Besim Muzaqin i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, e që po ashtu ka thënë se Artan Krasniqi nuk është kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës së Vushtrrisë.

“Jo, Artan Krasniqi nuk është kandidat i VV-së për zgjedhjet komunale, ende nuk kemi hy as në fazë të aplikimit bile. Nuk ka asgjë konkrete deri më tani, janë vetëm spekulime”, ka thënë Muzaqi për Gazeta Blic.

Ai madje kategorikisht ka mohuar se ka fraksione e pakënaqësi në degën që drejton rreth emrit për kandidatin për kryetar të komunës në zgjedhjet e vjeshtës.

“Nuk është e vërtetë se ka pakënaqësi brenda degës për emrin e kandidatit. Ende nuk është hapur aplikimi për kandidatin. Lëvizja Vetëvendosje e ka të rregulluar me statut: hapet aplikimi, miratohen kandidaturat, votohen në Këshillë, por ende nuk kemi ardhur te kjo pikë. Nuk është çështje ditësh, mund të bëhet edhe çështje javësh”, ka thënë Besim Muzaqi, kryetar i degës së VV në Vushtrri.

Gazeta Blic ka kontaktuar edhe me Fjolla Ujkanin, që është po ashtu deputete në Kuvendin e Kosovës dhe vjen nga dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri.

Për dallim nga Muzaqi, ajo ka thënë se partia që përfaqëson, ka një emër për kandidat për kryetar të komunës.

“Artan Krasniqi ka përkrahjen e madhe të Kryesisë… emra të tjerë nuk di, por që është e rregulluar me Statutin e partisë se si veprohet. Aplikimi, delegimi i emrave në degën e Vushtrrisë dhe më pas vendos Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes”, ka thënë Ujkani, shkruan Gazeta Blic.

Por dega e VV në Vushtrri duket se ka telashe të mëdha. Gazeta merr vesh se janë disa fraksione brenda degës e që po e pamundësojnë nxjerrjen e një emri që do ta garonte nën ombrellen e VV drejt të parit të kryetarit të komunës.

Sipas këtyre burimeve Besim Muzaqi e Burim Rexhepi, anëtar i Kryesisë janë kundër nominimit të Artan Krasnqit, meqë Muzaqi ka shprehur ambiciet e tij për të garuar vetë, përderisa Fjolla Ujkani dhe të tjerët në degën e Vushtrrisë unanimisht po e mbështesin mjekun nga ky qytetet që të garoj për kryetar të komunës së Vushtrri. / Gazeta Blic.