Lajme

Vetëvendosje mbajti mbledhje me qendrat pas zgjedhjeve, Kurti i pranishëm

02/02/2026 13:48
nga:G B

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e qendrave të saj, të cilën nuk e kishte bërë publike paraprakisht, pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe përmbylljes së cikleve zgjedhore lokale.

Takimi është mbajtur në zyrën qendrore të Lëvizjes, ndërsa sipas njoftimit, i pranishëm në këtë mbledhje ka qenë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, Sekretari Organizativ, Alim Rama, si dhe Koordinatori i Qendrave, Salih Zyba.

Sipas një njoftimi të kësaj partie, gjatë mbledhjes është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, si dhe për fushatën zgjedhore të Lëvizjes, e cila u përmbyll me mbështetje qytetare prej 51.10 për qind dhe sigurimin e 57 ulëseve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, në takim janë trajtuar çështje që lidhen me procesin e certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe konstituimin e institucioneve të reja. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar aspektit organizativ të Lëvizjes, funksionimit të qendrave dhe forcimit të mëtejmë të strukturave partiake në terren”, thuhet në njoftim.