Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale.
E si pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjera, apo duke plagosur veten aksidentalisht.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Qirez të Skenderaj, ku një person dyshohet se ka plagosur aksidentalisht veten e tij.
Burimet brenda Emergjencës bëjnë me dije për Sinjalin se 37-vjeçari është dërguar atje për ndihmë mjekësore, pasi kishte marrë plagë nga plumbi i armës.
Pas intervenimit të ekipit mjekësor, gjendja shëndetësore e të dyshuarit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e 37-vjeçarit.
Sipas tij, derisa ka qenë duke e fshehur armën nga fëmijët, ajo është shkrepur aksidentalisht dhe i ka shkaktuar lëndime.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.


