Sporti

Vetëm 15 vjeç, por kampion i Belgjikës: Historia e Haxhi Ramajt në ring

05/08/2026 18:04
nga:L J

Në moshën vetëm 15-vjeçare, boksieri nga Kosova, Haxhi Ramaj po dëshmon se është talent premtues i boksit në Belgjikë.

I lindur dhe i rritur në Belgjikë, me prejardhje nga Jabllanica e Gjakovës, ai tashmë ka arritur një sukses të madh duke u shpallur kampion i Belgjikës në kategorinë U17, në peshën deri në 80 kilogramë.

Titulli kampion erdhi në Bruksel, aty ku Ramaj tregoi cilësi të mëdha në ring, duke konfirmuar potencialin e tij si një emër që premton shumë për të ardhmen.

Boksieri i ri stërvitet në klubin High Five Boxing Lab, ku forma e tij ka qenë në ngritje të vazhdueshme. Që nga kalimi në këtë klub, Ramaj ka zhvilluar katër meçe dhe ka dalë fitues në secilin prej tyre, ndërsa një fitore e ka mbyllur me nokaut, duke treguar edhe fuqinë që posedon.

Ramaj shihet si një talent shumë premtues në të ardhmen, ku synon ta përfaqësojë sa më mirë Kosovën nga paraqitjet në Belgjikë dhe vendet europiane.