Rrugët në Rugovë janë të bërë të vështira për qarkullim.
Sipas Skënder Thaqit, kryetar i Shoqatës së Turizmit Rural të Kosovës, qytetarët dhe bizneset e rajonit të Rugovës me muaj kanë mbetur të izoluar nga vështirësimi i qarkullimit.
“Rruga Pejë-Kuçishtë është degraduar për shkak të mungesës totale të mirëmbajtjes. Në këto rrethana, rajoni i Bogës, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë çfarëdo hapësire dhe mundësi për zhvillimin e bizneseve dhe turizmit”, ka thënë Thaqi për Klankosova.
Sipas tij, bizneset janë drejt falimentimit nga problemet e infrastrukturës dhe mirëmbajtjes së rrugës Pejë-Kuçishtë.
“Projekti i instalimit të kabllove elektrike nëntokësore në pjesën e rrugës Shtupeç-Kuçishtë, realizimi i së cilës pothuajse e ka paralizuar tërësisht veprimtarinë e bizneseve në zonën e Bogës gjatë gjithë këtij viti. Se si janë “përfunduar” punët mund të shihet edhe sot”, ka shtuar ai.
Ai tha se kanë mbetur shumë gropa të hapura, që përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për mjetet e transportit, sidomos tash gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit.
“Rruga I lidh 13 fshatra të Rugovës dhe është llom. Një pjesë e asfaltit që e ka mbuluar rrugën nuk ekziston më, pjesë e mbetur është degraduar pothuajse tërësisht”.



