Lajme

“Veriu krye-temë e fushatës zgjedhore”

10/22/2024 09:00
nga:N K

Ministri i financave, Hekuran Murati, gjatë fundjavës paraqiti të dhëna të reja mbi numrin e të punësuarve dhe shkallën e papunësisë në Kosovë duke komentuar një raport të bankës botërore sipas të cilit në Kosovë vetëm 37% e qytetarëve të aftë për punë janë në një marrëdhënie pune. Murati zgjodhi rrjetet sociale për siç tha demantimin e mediave të afërta me opozitën të cilat sipas tij kanë keq cituar raportin e Bankës botërore.

“Gjithsesi, për të evituar diskutimet mbi metodolgjinë e përllogaritjes së shkallës së papunësisë, Qeveria pothuajse çdoherë i është referuar shifrës absolute të të punësuarve, e cila është indikatori më i saktë për të treguar se sa është rritur punësimi.

E ky indikator, siç edhe mund të shihet, tregon se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej.”, Murati

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila akuzoi ministrin Murati se po manipulon me shifra, meqë sipas saj raporti i Bankës Botërore e nxjerr Kosovën më së keqi në rajon .

“Të vetmit që po keqintrepretoni e po manipuloni me shifra jeni Ju, askush tjetër, se shifrat po ju sfidojnë me shumë se mediet e opozita. Ju jeni peng i mashtrimeve e premtimeve të juaja.”, tha Bajrami.

Përplasjet mes partive politike kryesisht nëpër platformat online, politologu Albinot Maloku i sheh si një nisje e fushatës parazgjedhore. Maloku vlerëson se partia në pushtet në këto zgjedhje temë kryesore do ta ketë çështjen e veriut ndërsa opozita sipas tij do të mundohet që përmes problemeve me të cilat qytetarët ballafaqohen çdo ditë të ndërtojnë narrativen e tyre për një qeveri të re.

“ Tashmë po shohim se qeveria si temë kryesore e ka veriun pra përpjekjen se e ka shtrirë sovranitetin në veri ndërsa opozita pra po shohim se ka nisur t’I përmend disa nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët çdo ditë…”, tha Mjeku.

Në anën tjetër në media, për herë të dytë dolën disa përgjime telefonike në të cilat dëgjohet shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe tashmë të akuzuarit për terrorizëm Millan Radoiçiq, përgjim të cilin partia në pushtet e cilësoi si luftë hibride ndaj saj.

Belgzim Kamberi nga instituti “Musine Kokalari”, thotë se emri i Radoiçiqit do të kthehet në temë kryesore në këtë fushatë zgjedhore.

“Tashmë varet se sa do e shes LVV-ja këtë çështjen se po bëhet luftë Hibride ndaj LVV-së dhe si do e shesë çështjen se kryeministrat janë takuar me Radoiçiqin dhe këta e përndoqën pastaj opozita varet se si do e përdorë këtë se LVV-ja u koordinua me të për çështje të caktuara…”, Kamberi, rtv21.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë pritet të mbahen me 9 shkurt ndërsa LVV-ja bëhet partia e parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e cila përfundon mandatin parlamentar deri në fund.