Lajme

“Veriu i Kosovës, tokë e askujt”, Bajqinovci porosi Edi Ramës: Kuptoje që çështja e Kosovës është çështje e mbyllur!

10/04/2023 18:28
nga:G C

Deputeti i partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci i ka reaguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ku tha se “Veriu i Kosovës me kalimin e viteve është bërë toka e askujt”.

Bajqinovci në një prononcim për GazetaBlic thotë se çështja e Kosovës nuk është çështje e hapur.

“Republika e Kosovës e ka shpallur pavarësinë e saj me këtë territor që ka dhe është njohur edhe nga shtetet më të fuqishme të botës. Mbi këtij kufij edhe GJND-ja e ka vulosur atë shtetësi, kur ka thënë që Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Pra, duhet kuptuar që çështja e Kosovës nuk është çështje e hapur”, tha Bajqinovci.

Bajqinovci thotë se nuk e dinë se nga Edi Rama po e nxjerr një konstatim të tillë, duke marrë parasysh faktin që NATO dhe KFOR-i e kanë deklaruar se Policia e Kosovës është reaguesi i parë në çdo pjesë të territorit.

“Në anën tjetër, që disa herë NATO dhe KFOR duke e ripërsëritur edhe sot, kanë deklaruar se Policia e Kosovës është reaguesi i parë në çdo pjesë të territorit. Nuk po e di nga po vjen ky konstatim i Ramës”, thotë tutje.

“Duhet theksojmë që Rama këtë që e dha tash si propozim me 19 qershor e kishte shprehur si brengë. Nga u bë kaq shpejt që brenga të bëhet propozim”, tha Bajqinovci për GazetaBlic.

Kujtojmë se sot, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për prestigjozen britanike “The Financial Times”, ka thënë se “veriu i Kosovës është një pikë e nxehtë, dhe me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.

Kjo deklaratë nxiti reagime të ashpra në Kosovë dhe Shqipëri.

/GazetaBlic/