Produktet e duhanit që importohen apo prodhohen për tregun e shtetit të Kosovës duhet nga 1 shtatori 2024 të vendosin fotografi me ngjyra apo ilustrime të tjera dhe të përmbajnë vërejtjet shëndetësore të përcaktuara me udhëzimin e ri administrativ, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe uljen e ndikimit të përdorimit të duhanit.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook, ku ndër të tjerash thuhet se këto vërejtje do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen dhe produktet e reja të duhanit dhe kanë për qëllim:
– ngritjen e njohurive të duhanpirësve mbi efektet shëndetësore që shkakton përdorimi i produkteve të duhanit;
– sigurimin e efektit të vazhdueshëm të vërejtjeve shëndetësore në paketimet e produkteve të duhanit;
– inkurajimin e ndërprerjes së pirjes së duhanit dhe dekurajimin e nisjen ose rinisjen e pirjes së duhanit.
Kjo masë është e rëndësishme për përmirësimin e shëndetit publik dhe për mbështetje të përpjekjeve për kontrollin e duhanit në nivel kombëtar.
Në lidhje me ndikimin e konsumimit të duhanit dhe rreziqet që vinjë nga pirja e duhanit, specialisti i mjekësisë familjare thekson se duhani është njëra nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kronike, sëmundjes së kancerit dhe vdekjeve të parakohshme në të gjithë botën ku gjithashtu sipas tij produkti i duhanit përmban mbi 7000 kimikate nga të cilat rreth 70 të tilla janë kancerogjene.
Duhani ndikon keq edhe tek shtatzënitë duke shkaktuar edhe lindje të parakohshme, peshë të ulët të fëmijës në lindje, dhe probleme të tjera zhvillimore për fëmijën, tregon Ismajli në një prononcim dhënë për GazetaBlic.
“Duhani është një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kronike dhe vdekjeve të parakohshme në të gjithë botën. Konsumi i duhanit i çfarëdo forme qoftë: cigareve, purove, nargjilesë (shisha), cigareve elektronike, është i dëmshëm për organizmin tonë. Duhani përmban mbi 7000 kimikate, nga të cilat rreth 70 janë kancerogjene. Kjo e bën duhanin një nga faktorët më të rrezikshëm për shëndetin njerëzor”, tregon ai.
Cilat janë pasojat e përdorimit të duhanit?
“Duhani dëmton shëndetin tonë në përgjithësi duke shkaktuar sëmundje të shumta, në mënyrë të veçantë: sëmundje që kanë të bëjnë me qarkullimin e gjakut në zemër dhe në tru, të mushkërive dhe kancer. Duhani rrit rrezun për infarkt dhe goditje në tru. Katrani dhe substancat e tjera toksike dëmtojnë enët e gjakut, duke shkaktuar ngushtim dhe bllokim të tyre. Me që duhani futet direkt në mushkëri ai dëmton ndjeshëm funksionin e tyre duke shkaktuar bronkit kronik dhe emfizmë, e më këtë edhe vështirësi në frymëmarrje. Duhani ka lidhshmëri direkte me shfaqjen e kancerit, pasi që substancat që ka ndikojnë në ADN- në e qelizës sonë duke e tjetërsuar atë dhe duke shkaktuar rritje të qelizave të kancerit”, tha ai për GazetaBlic.
Sa i përket rreziqeve të pirjes së duhanit, specialisti i mjekësisë familjare tregon tri gjëra të dëmshme për organizëm nëse e përdorim duhanin.
“Janë tri gjëra të dëmshme që shkakton duhani dhe jo vetëm. Duhan ndikon keq edhe në shtatzëni duke shkaktuar lindje të parakohshme, peshë të ulët të fëmijës në lindje, dhe probleme të tjera zhvillimore për fëmijën. Edhe në aspektin emocional duhani është problem në vete. Duhet gjithmonë ta kesh pranë, ta bartësh me vete, ka situata kur nuk mund ta ndezësh, duke shkaktuar stres te personi që pinë. Pastaj, shkakton ngjyrosjen e dhëmbëve dhe ndryshimin e tenit të lëkurës duke e bërë që të dukeni më i moshuar, vazhdimisht ju vjen një erë e pakëndshme, përfshirë edhe rrobat që bartni. Të gjitha këto, e po t’i shtohen edhe kritikat nga miqtë dhe familjarët, përpjekjet për ta lënë, shkaktojnë ankth dhe depresion. Pastaj, harxhimet ditore janë jo të pakta duke bërë që të ndikojë ndjeshëm tek financat e atyre që e konsumojnë atë”, thekson Ismajli.
“Këshillat e mjekut janë që më së miri të mos fillohet fare pirja e duhanit, të mos bien nën ndikimin e të tjerëve që pinë, madje, as të mos rrihet në vendet ku pihet duhani. Nëse keni filluar të pini, ndërpreni atë sa më parë dhe kërkoni ndihmë nga mjeku juaj familjar për të gjetur mënyrën më të mire për ta ndërprerë atë”, përfundoi Rushit Ismajli.
Specialisti i mjekësisë familjare në fund apelon të gjithë qytetarët të jetojnë të lumtur pa duhan!
/GazetaBlic/