Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka mbrojtur planet për hapjen e tregut të naftës së vendit të saj ndaj Uashingtonit, ndërsa zëvendëspresidenti i Donald Trump, JD Vance, përsëriti se SHBA do të kishte kontroll të plotë mbi furnizimet e vendit, shkruan The Guardian.
Rodríguez deklaroi të mërkurën se sulmi i Amerikës për të rrëzuar paraardhësin e saj, Nicolás Maduro, kishte lënë një “njollë” në marrëdhëniet mes dy vendeve, por shtoi se nuk ishte “as e pazakontë dhe as e parregullt” të tregtohej me SHBA-në, duke theksuar se Venezuela ishte “e hapur për marrëdhënie energjetike ku të gjitha palët përfitojnë”.
Administrata e Trump ka kërkuar të vendosë kontroll mbi naftën venezuelase, duke sekuestruar të mërkurën dy cisterna të sanksionuara, ndërsa njoftoi se do të menaxhonte të gjitha shitjet e ardhshme të prodhimit të naftës bruto dhe do të mbikëqyrte shitjen e produkteve të naftës së vendit në mbarë botën.
“Ne do ta tregtojmë naftën bruto që del nga Venezuela,” tha sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright. “Fillimisht këtë rezervë të grumbulluar të naftës dhe më pas, pa afat të caktuar, do të shesim prodhimin që del nga Venezuela në tregun ndërkombëtar.”
Në një intervistë për Fox Neës, Vance tha se Venezuela do të ishte në gjendje ta shiste naftën e saj vetëm nëse kjo u shërben interesave të SHBA-së.
“Ne i kontrollojmë burimet energjetike dhe i themi regjimit: ju lejohet ta shisni naftën për aq kohë sa i shërbeni interesit kombëtar të Amerikës; nuk ju lejohet ta shisni nëse nuk i shërbeni interesit kombëtar të Amerikës,” tha Vance.


