Lajme

Vendoset gurthemeli për ndërtimin e tribunave të lindjes në Stadiumin “Zahir Pajaziti”

12/11/2025 15:14
nga:Sh R

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e tribunave të lindjes në Stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Investimi në vlerë prej afër 2 milionë euro, përfshin përveçse tribunën e lindjes dhe ulëse të reja, përfshin mbulim të tribunave perëndimore, veriore dhe jugore, si dhe ndriçim të plotë të fushës, duke mundësuar kështu zhvillimin e ndeshjeve edhe në mbrëmje.

Kryeministri Kurti tha në prononcimin e tij se Klubi Futbollistik “Llapi” ka një traditë të gjatë, është themeluar në vitin 1932, dhe nga këtu kanë dalë edhe yje të futbollit, në mesin e tyre Fadil Vokrri dhe Fevzi Rama. “Prandaj, përveç që e kemi obligim, besoj që është tejet e dobishme sepse investimi në sport, e posaçërisht në futboll në këtë stadium këtu në Podujevë do të inkurajojë, do të zbulojë, e do të ushqejë talente të reja, të cilët në vitet në vijim natyrisht se do ta ngrisin lartë e më lartë futbollin e vendit tonë dhe të sportit në përgjithësi”, tha ai.

Gjithashtu theksoi se këto investime do ta shndërrojnë Stadiumin “Zahir Pajaziti” në stadium sipas kritereve të UEFA-s, e që natyrisht do të jetë një shtysë më shumë për suksese edhe më të mëdha.