Lajme

Vendimi i PZAP-it, Cakolli: Nuk u lejua shkelja e ligjit në emër të narrativave politike dhe ‘kauzave’ elektorale

12/01/2025 13:54
nga:N K

Vendimi i fundit i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk përbën vetëm një korrigjim teknik të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por shënon një pikë kthese për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kështu thekson Eugen Cakolli nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (KDI), sipas të cilit, me këtë vendim, PZAP-ja thjesht nuk lejoi shkeljen e ligjit në emër të narrativave politike dhe “kauzave” elektorale, duke neutralizuar gjithashtu një lojë që mund të deformonte debatin publik rreth diasporës.

“Po aq e rëndësishme është që PZAP-ja i ndaloi përpjekjet për të krijuar një situatë të paqenë, duke paraqitur diasporën si të ‘penguar’ nga votimi. Në fakt, as PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka ndaluar diasporën,” ka shkruar Cakolli.

Ai thekson se ironia më e madhe është tek ata që e vendosën datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor, me arsyetimin se “diaspora do të jetë këtu”. “Tani po thonë se as përfaqësitë diplomatike nuk mjaftojnë dhe kërkojnë qendra shtesë, kryesisht në hapësira private, në restorante apo ambiente fetare… jo për arsye nevoje reale, por për të forcuar narrativin politik,” shton ai.
Cakolli thekson se përpjekjet për të shtuar qendra votimi jashtë përfaqësive diplomatike nuk janë të nevojshme dhe shërbejnë më shumë për ndërtimin e një narrative politike sesa për të rritur qasje reale për votuesit.

Sipas tij, përvojat nga zgjedhjet e 9 shkurtit tregojnë se qendrat jashtë vendit pothuajse nuk kanë arritur të plotësojnë kapacitetin maksimal, duke dëshmuar se infrastruktura ekzistuese është e mjaftueshme.

“Diaspora nuk duhet të bjerë pre e diskurseve përçarëse. Vota e çdo qytetari jashtë vendit do të ketë vlerë dhe legjitimitet të plotë, nëse respektohet ligji,” përfundon Cakolli.

Postimi i plotë:

Vendimi i fundit i PZAP-së nuk është vetëm një korrigjim teknik i KQZ-së. Është një pikë kthese e rëndësishme për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ky vendim rivendos një standard të qartë ligjor dhe, duke besuar që do të konfirmohet edhe nga Gjykata Supreme nëse dërgohet si rast, mbyll çdo dilemë për mënyrën e organizimit të votimit jashtë Kosovës.
Por po aq e rëndësishme është që PZAP-ja i ndaloi përpjekjet për krijimin e një situate të paqenë, për ta paraqitur diasporën si të “penguar” nga votimi. Në fakt, as PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka “ndaluar diasporën”.
Thjesht, nuk u lejua shkelja të ligjit në emër të narrativave politike dhe “kauzave” elektorale, si dhe u neutralizua një lojë që rrezikon ta deformojë debatin publik rreth diasporës.
Ironia më e madhe është se ata që kontribuan maksimalisht që data e zgjedhjeve të jetë 28 dhjetori – pikërisht me arsyetimin se “diaspora do të jetë këtu” – tani po thonë se as përfaqësitë diplomatike nuk mjaftojnë. Tash kërkuan qendra shtesë, kryesisht në hapësira private, në restaurante e në ambiente fetare… jo sepse janë të nevojshme, por sepse ndihmojnë narrativën.
Për më tepër, as në zgjedhjet e 9 shkurtit, që ishin të rregullta dhe me afate dukshëm më të gjata, pothuajse asnjë qendër jashtë vendit nuk e arriti kapacitetin maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin. Pra, nuk ka pasur kërkesë që i tejkalon kapacitetet ekzistuese.
Prandaj, sot është një ditë e mirë për demokracinë dhe integritetin zgjedhor në Kosovë. Edhe nëse ditët në vijim do të mund të dëgjojmë sërish se “dikush ua paska ndaluar diasporës votimin”, faktet janë të thjeshta, por jashtëzakonisht kokëforta. Mjafton të lexohet vendimi i PZAP-së, dhe kuptohet menjëherë se kjo është një tezë e zbrazët dhe strategji e vjetër për mobilizim elektoral.
Diaspora nuk duhet të bjerë pre e diskurseve përçarëse. Ajo do të votojë, ashtu siç e përcakton ligji. Kjo është mënyra më e sigurt që vota e çdo qytetari jashtë vendit të ketë vlerë dhe legjitimitet të plotë.