Pas vendimit të PZAP-it që ka hedhur poshtë vendimin e kundërligjshëm të KQZ-së që lejonte votimin jashtë përfaqësive diplomatike – përfshirë në restorante, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër duke e quajtur këtë përpjekje një tentativë për manipulim të organizuar të votave nga Vetëvendosja.
Ai tha se “që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave”, duke kujtuar edhe tentimin e mëhershëm për rikthimin e votimit me email, të cilin e quajti praktikë të abuzimit masiv me fletëvotime.
Abdixhiku theksoi se mërgata sot ka mënyrën më të lehtë të votimit, qoftë në ambasada e konsullata, qoftë përmes postës, dhe se vetëm proceset e garantuara nga shteti mund të sigurojnë integritetin e zgjedhjeve. “Sektit të Vetëvendosjes nuk i intereson vota e mërgatës; ata duan t’i printojnë vet fletëvotimet, t’i mbushin vet, t’i manipulojnë vet”, theksoi ai, duke shtuar se “Kosova po zgjohet, mërgata po rikthehet, e paniku i tyre është shenja e parë e humbjes që i pret.”


