Lajme

Vendimi i KQZ-së për procesin e largimit të katër kryetarëve në Veri, reagon Peci: Të drejtat tona do t’i procesojmë tutje

03/11/2024 12:59
nga:N K

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur rreth vendimit të KQZ-së për procesin e largimit të katër kryetarëve në Veri.

“Fillimisht ju informoj se bazuar ne Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht neni 56, pika 56.1 ku citoj ” Kryetari i komunës zgjidhët me zgjedhje të drejtpërdrejta në pajtim me ligjin mbi zgjedhjet lokale” si dhe neni 56.2 dhe 56.3 ku citojnë periudhën kohore, si përfundon mandati i një Kryetari të komunës”, tha ai për Gazeta Blic.

Krahas kësaj ai thotë, se jemi zgjedhur me vota të qytetarëve dhe i kemi të drejtat tona, të cilat Peci thotë se do t’i procesojme tutje.

“Dua të theksoj se ne jemi zgjedhur me vota të qytetarëve dhe i kemi të drejtat tona, të cilat do t’i proçesojmë tutje”, tha Peci.

Kujtojmë se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimi pasoi verifikimin e listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticioni gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhej të nënshkruhej nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

“Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për përgatitjen procedurale dhe organizimin në aspektin teknik të këtij procesi, Sekretariati i Komisionit Qendror të zgjedhjeve konsideron se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill e vitit 2024”, tha drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj.

Për të larguar kryetarin e një komune duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote. Nëse dështon, një peticion tjeterë nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog tha se e vlerëson vendimin për të caktuar datën e votimit për shkarkimin e kryetarëve. Ai shkroi në rrjetet sociale se “tashmë është thelbësore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm”.