Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka thënë se aprovimi i ankesës së Klan Kosovës nga Gjykata Komerciale duke e shtyrë vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë rreth pezullimit të certifikatës së biznesit është fitore për demokracinë.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ajo ka deklaruar se sot është një ditë për të festuar për të gjithë.
“Sot kemi fituar, ka fituar Klan Kosova, kanë fituar mediat në Kosovë, ka fituar demokracia kundrejt një iniciative qeveritare arbitrare të kundërligjshme me synimin e vetëm me minu lirinë e medias. Sot është ditë për të festuar ju por edhe të gjithë neve, që kemi konsideratë për lirinë e medias, lirin e shprehjes dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë Kusari.
Ajo ka theksuar se sot është konfirmuar ajo që e kanë thënë të gjithë aktivstët, gazetarët dhe vet mediumi Klan Ksoova se nuk ka probleme me certifikatën. Sipas saj, është turp për Qeverinë Kurti për narrativat që ka krijuar në këtë rast.
“Kur e kemi kundërshtuar këtu po flas unë por edhe shumë aktivistë në Kosovë, që kanë folur dhe gazetare, i kemi përmendur disa elemente pse nuk janë në rregull. Fillimisht argumenti kryesor ka qenë fakti që Klan Kosova e ka përditësuar certifikatën, ndonëse Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka gënjyer për ditë të tëra në forma të ndryshme. Sot vendimi e konfirmon atë që e kemi thënë se nuk ka problem me certifikatën”.
“Është turp për ministren Rozeta Hajdari, është turp për qeverinë që kanë manipuluar me dokumente dhe e kanë krijuar një narrativë kinse dokumentet nuk janë në rregull. Ndërsa, arsye se pse gjykata e ka shtyrë ekzekutimin e ka lëshuar masën, është sepse dëmi është pa ripariueshëm. Klani nuk do të operonte si biznes, do të mbesnin pa punë rreth 220 punëtorë, do t’i merrej licenca nga ana e Komisionit të Pavarur për Media”.
“Ajo që më së shumti më ka bërë përshtypje edhe pse më bënë optimiste për sistemin tonë gjyqësor, gjykata shumë thjesht e ka përmendur ndikimin në lirinë e medias, gjykata na kanë thënë se mediat nuk mund të mbyllen bash qeshtu. Këto janë argumente që i ka përdorur gjykata”, ka thënë Kusari.
Ndërsa sa i përket Komisionit të Pavarur për Media, ajo i ka përgëzuar për punën dhe qasjen që patën ndaj rastit të Klan Kosovës, dhe ka thënë se: “Ata nuk duhet të bëjnë asnjë veprim derisa të mos ketë një epilog përfundimtar”.


