Lajme

Vendimi i KGJK-së, sot u anuluan dy seanca në Gjykatën e Apelit

11/30/2022 14:19
nga:G B

Edhe të mërkurën Gjykata e Apelit ka vazhduar me respektimin e vendimit të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës (KGJK), që puna e gjykatave të bëhet vetëm me shërbime esenciale, duke anuluar dy seanca gjyqësore.  

Kjo është konfirmuar për “Betimin për Drejtësi” nga administratori i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi, i cili tha se gjatë ditës së mërkurë janë anuluar dy seanca, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë nga ato të natyrës esenciale.

Të enjten, në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka miratuar lista e shërbimeve esenciale derisa Qeveria ta shfuqizojë vendimin që ua përgjysmon pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj kishte paralajmëruar se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka marrë  vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.