Seria A ka marrë një vendim i cili nuk do t’i pëlqejë shumëkujt e padyshim do të krijojë polemika. Në një moment kur e gjithë bota po solidarizohet me Ukrainën për tragjedinë që po përjeton ky vend pas sulmit ushtarak të Rusisë, elita e futbollit italian ka dalë kundër rrymës me vendimin e fundit.
FIFA dhe UEFA kanë lejuar skuadrat në të gjithë botën që për shkak të situatës së krijuar, të mund të regjistrojnë jashtë dritares së merkatos lojtarë të cilët janë larguar nga zona e luftës apo kanë prishur marrëveshjet e tyre me klubet ruse si pasojë e saj. Por Liga e Serisë A ka vendosur që të mos e aplikojë këtë ndryshim në rregullore, duke mos lejuar federimin e 2 futbollistëve për skuadër.
Vendimi është marrë për faktin se nuk duan që të prishin garën në fundin e saj me lojtarë të cilët mund të ndikojnë direkt në luftën për objektivat sezonalë të klubeve, edhe pse bëhej fjalë për një qëllim të mirë. FIFA dhe UEFA nuk ua imponojnë Federatave anëtare këtë rregull, thjesht ua kanë dhënë lirshmërinë që të bëjnë ndryshimin, që Seria A ka vendosur të mos e miratojë, ashtu siç ka bërë në fakt edhe Premier Liga./panorama


