Lajme

Lahu: Shtrirja e sovranitetit dhe rritja ekonomike, sukseset kryesore në mandatin katërvjeçar të Qeverisë Kurti

01/19/2025 19:01
nga:N K

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, me numër 69, Vendenis Lahu, ka vlerësuar mandatin katërvjeçar të qeverisë së Kurtit, duke thënë se një ndër sukseset më të mëdha ishte shtrirja e sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin, duke përfshirë edhe veriun.

Lahu në një intervistë për GazetaBlic, përmendi edhe rritjen ekonomike që ka përjetuar vendi gjatë këtij mandati, që sipas tij ka mundësuar përmirësimin e buxhetit dhe marrjen e vendimeve që e prekin jetën e qytetarëve.

“Ne kemi pasur një mandat katërvjeçar me një mbështetje të madhe të qytetarëve, dhe mendoj se ka qenë një mandat i mbushur me sfida, por edhe me suksese që i kemi arritur. Një nga sukseset kryesore të këtij mandati, jo vetëm të qeverisë, por edhe të shtetit tonë, është shtrirja e sovranitetit në të gjithë territorin e vendit, pra përfshirë edhe veriun, i cili ka qenë një zonë që nuk ka qenë nën kontrollin e plotë të organeve të rendit dhe shtetit të Kosovës. Kjo, mendoj se është një sukses i jashtëzakonshëm, i cili ka kërkuar angazhim jashtëzakonisht të madh të të gjitha resurseve dhe të qeverisë, edhe të institucioneve të tjera relevante në vend”, tha Lahu.

“Suksesi ynë tjetër gjatë këtij mandati, mendoj se është rritja ekonomike që ka përjetuar vendi jonë, rritja e buxhetit, i cili na ka mundësuar që të marrim vendime që e prekin përditshmërinë e qytetarëve tanë. Në këtë kontekst, ndër të tjera do të veçoja përmirësimin e performancës së ndërmarrjeve publike, ku shumë nga to nga bilanci negativ kanë kaluar në bilanc pozitiv, tani operojnë me fitim. Rritja e buxhetit nuk përkufizohet vetëm brenda spektrit ekonomik, sepse kjo rritje e buxhetit që kemi arritur gjatë këtij mandati na ka mundësuar që të investojmë në shumë sektorë që kanë qenë të ngatërruar prapa”, tha ai.

Suksesi tjetër sipas tij është edhe miratimi i Ligjit të Pagave, që ka mundësuar jetësimin e pagave për punën që e bëjnë zyrtarët kudo në vend.

“Suksesi tjetër ka qenë miratimi i Ligjit të Pagave, ligj i cili ka mundësuar jetësimin e pagave për punën që e bëjnë zyrtarët e gjithëandej vendit. Në këtë kontekst, do të veçoja përmirësimin e kushteve të punës, përmirësimin e pagave, sidomos në sektorin e shëndetësisë, i cili ka qenë një sektor mjaft pas, kur llogarisim konkurueshmërinë në rajon, dhe kjo ka bërë që ky sektor të cenohet, për shkak se kemi pasur largimin e profesionistëve shëndetësorë nga spitalet tona, nga sistemi jonë shëndetësor, drejt vendeve të tjera që kanë krijuar kushte jashtëzakonisht më të favorshme,” potencoi Lahu.

Lahu theksoi se prodhimi vendor ka siguruar furnizimin e vendit me produkte bujqësore, duke mundësuar një rritje të qëndrueshme në këtë sektor.

“Nuk kemi lënë pa prekur edhe një sektor tjetër, që është ai i bujqësisë, pra kemi pasur një investim mjaft të madh në këtë sektor, i cili ka rezultuar me sukses. Janë mbështetur fermerët tanë dhe kemi arritur që këtë vit ta sigurojmë atë që po themi, e kemi siguruar bukën e gojës me prodhimin vendor gjatë këtij viti,” përfundoi ai.

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje theksoi se këto janë vetëm disa nga sukseset që kanë ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve dhe që kanë kontribuar në zhvillimin e vendit.