Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, me numër 69, Vendenis Lahu, ka thënë se pozita shpeshherë ka kërkuar nga opozita që të kritikojnë punën e saj.
Lahu, në një intervistë për GazetaBlic, vlerëson se aty ku ka pasur nevojë për kritikë, opozita ka vepruar ndryshe, duke zbritur, sipas tij, pazarin e vendit.
“Po sigurisht, opozita ka të drejtë të kritikojë, ajo është puna e opozitës. Unë do të thoja që ne shpeshherë kemi kërkuar nga opozita që të jenë më kritike në shumë fusha sesa kanë qenë, sidomos kur bëhet fjalë për temat me rëndësi për vendin tonë. Sidomos për politikën e jashtme, ne e kemi kërkuar që të jenë më kritikë ndaj qeverisë dhe në mbrojtje të shtetit. Por mendoj se aty ku ka pasur nevojë të kritikohet apo të bëhet më shumë për të përmirësuar qeverisjen dhe për t’u bërë më rezistentë ndaj faktorëve ndërkombëtarë, ata e kanë bërë të kundërtën. Në një farë forme do të thoja, e kanë ulur pazarin e shtetit të Kosovës në raport me fqinjët verior, Serbinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar”, tha ai.
Sipas tij, kritikat që opozita ka ndaj qeverisë nuk shfaqin ndonjë shenjë të dukshme për përmirësime.
“Kritikat e tyre i kuptoj, por nuk mendoj se na lënë ndonjë shenjë, sepse qytetarët e vendit e kanë parë qeverisjen e vendit gjatë katër viteve dhe e kanë parë vullnetin dhe vendosmërinë tonë për të ecur përpara”, tha Lahu.