Superliga e Kosovës është ‘begatuar’ për vite me radhë me futbollistë të huaj.
Ardhja e tyre e ka rritur nivelin dhe garën, por ka shtuar edhe konkurrencën në skuadrat kosovare, shkruan GazetaBlic Sport.
Në mesin e tyre është edhe sulmuesi i Gjilanit, Senad Jarovic, i cili thotë se në Kosovë ndjehet si në shtëpinë e tij, për mënyrën se si e kanë mirëpritur njerëzit këtu.
“Që nga dita e parë që kam ardhur këtu në Kosovë jam ndjerë sikurse në shtëpinë time, për mënyrën se si më kanë mirëpritur njerëzit këtu dhe si më kanë trajtuar“, tha fillimisht ai.
Ai vazhdoi duke thënë fjalë miradie për vendin tonë, duke e cilësuar si të jashtëzakonshëm dhe me njerëz shumë të sjellshëm.
“Kjo është njëra nga arsyet përse unë e kam gjetur vetën këtu, kam patur paraqitje të mira dhe kam luajtur mirë. Kosova është një vend i jashtëzakonshëm dhe me njerëz shumë të sjellshëm”, vazhdoi ai.
Tutje ai tregoi edhe një moment interesant që i kishte ndodhur me menaxherin e klubit, Drilon Sylejmani dhe babain e tij, e që ndërlidhet me atë që ai e bën më së miri, realizimin e golave.
“Kur jemi kthyer nga faza përgatitore e verës (Bansko, Bullgaria), menaxheri i klubit (Drilon Sylejmani) dhe babai i tij dolën për të më pritur dhe për të më përcjellë deri te apartmenti im (pasi që ndjehem i afërt me ta) dhe Driloni i tha babit të tij për të më pyetur se sa gola kisha shënuar në fazën përgatitore për shkak se babai i tij fliste gjuhën tonë.
I thash në shaka: Thuaj djalit tënd që po mos të isha unë, ai tani do të mendonte se si do t’i organizonte garat në Ligën e Parë (Qeshet).
Pak shaka, sepse suksesi është i gjithë ekipit dhe unë ndjehem krenar që kontribova në realizimin e objektivave të klubit në sezonin e kaluar“, përfundoi Jarovic.
Një emër shumë i njohur tashmë për adhuruesit e futbollit kosovar, në veçanti atyre të Ballkanit, Queven Inacio, ka deklaruar se i pëlqen shumë vendi dhe se po mundohet të jap maksimumin e tij tek kampioni momental i Kosovës.
“Liga po përmirësohet vit pas viti. Shpresoj që çdo vit puna e bërë në Kosovë të njihet kudo. Jam i lumtur që përfaqësoj FC Ballkanin, synimi im është të nderojë fanellën dhe të bëj më të mirën që të fitojmë titullin këtë sezon”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai tha vlerësoi lartë qytetarët e Kosovës, ku tha se e kanë mikpritur dhe se e bëjnë të ndihet sikur në shtëpinë e tij.
“Po, qytetarjanë njerëz të shoqërueshëm, është një vend i qetë dhe njerëzit në Kosovë janë mikpritës, kanë një energji argëtuese dhe të lumtur dhe më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time”, vazhdoi Queven.
Si njërin nga momentet më të mira e veçoi atë xhiros së parë, ku realizoi dy gola dhe e fitoi çmimin e më të mirit të javës.
“Nuk po them momente interesante, por një nga momentet e lumtura që kam pasur ishte në ndeshjen e parë të Superligës, kur munda të kontribuoja me dy gola dhe isha ‘Ylli i Javës’, çmim i dhuruara nga Federata e Futbollit të Kosovës”, përfundoi ai.
Për adaptimin në Kosovë foli edhe Abdeen Abdul, 29-vjeçari i Ferizajt, i cili ka bërë paraqitje fantastike me fanellën e skuadrës së drejtuar nga Arsim Abazi.
“Futbolli i Kosovës është i ndryshëm nga shumë liga që kam luajtur në të kaluarën, futbolli këtu ka të bëjë më shumë me forcën dhe betejat fizike. Vetëm disa skuadra janë shumë të forta taktikisht. Nëse mund të vraponi më shumë dhe të fitoni betejat mendore dhe fizike në fushë, atëherë keni një shans më të madh për të fituar në Kosovë. Më pëlqen të luaj këtu, është një përvojë ndryshe për mua dhe sjell mundësi për mua të përmirësohem si person dhe si një lojtar”, tha fillimisht ai për ‘GazetaBlic Sport’.
Tutje, Abdul tha fjalë të mëdha për vendin tonë, kurse respektoi traditën dhe kulturën që posedojnë njerëzit këtu.
“Unë besoj se njerëzit në Kosovë janë shumë të shoqërueshëm. Unë nuk jam dikush që del shumë, por kur jam jashtë njerëzit në përgjithësi janë miqësorë me mua dhe më mirëpresin mirë. Më pëlqen Kosova si vend dhe respektoj traditat dhe historinë e këtij vendi. Unë kam luajtur në disa vende të tjera, duke u përshtatur me kulturën e ndryshme është diçka me të cilën jam mësuar shumë“, vazhdoi ai.
Për të, gjë e veçantë ishte pjesëmarrja në një reklamë të një banke financiare në Kosovë, gjë e cila i pëlqeu shumë.
“Mendoj se gjëja më interesante që më ka ndodhur ishte kur isha në stërvitje me Ferizajn dhe unë dhe disa nga shokët e mi u zgjodhëm të ishim pjesë e një reklame të një banke financiare. Më duhej të bëja disa lëvizje, më pëlqeu shumë që ishta pjesë e saj. Ishte shumë interesante të isha pjesë e këtij momenti“, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/