Lajme

Vëllai i Liridona Ademajt pas ngritjes së aktakuzës: Presim dënim të përjetshëm për të akuzuarit

01/15/2025 19:03
nga:G B

Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt, ndërkohë që vëllai i viktimës, Lonard Ademaj, e ka mirëpritur këtë hap dhe duke theksuar se familjarisht presin një dënim maksimal për të akuzuarit.

“Ne si familje e mirëpresim ngritjen e aktakuzës dhe kërkojmë që gjykata të vendosë sa më shpejt, sepse sa më shpejt, aq më mirë është për ne,” ka deklaruar Lonard Ademaj në emisionin FIVE.

“Presim që dënimi të jetë maksimal për të tre, ata duhet të marrin dënimin e merituar”, ka shtuar Ademaj, duke kërkuar dënim të përjetshëm për autorët.

Në lidhje me procesin ligjor, avokati i familjes, Leutrim Syla, ka theksuar se Prokuroria ka qenë e rezervuar dhe se, përveç hetimeve në Kosovë, është punuar edhe jashtë vendit, duke e kuptuar se hetimi mund të zgjasë.

Përsa i përket ngjarjes, Lonard Ademaj rrëfeu se nuk kishte pasur shenja se motra e tij, Liridona, kishte probleme me bashkëshortin Naim Murseli, dhe se ajo po përgatitej për të udhëtuar në Prishtinë.

“Motra nuk kishte paraqitur ndonjë shqetësim, dhe ishte tronditje e madhe për ne”, ka theksuar ai, duke kujtuar momentin kur u njoftua për vrasjen e Liridonës.

“Nga ora 11, unë isha në punë, më telefonoi gruaja derisa ishe duke punuar, dhe me tha se e kanë vrarë Liridonën unë mendova që djalin e axhit, se e ka emrin Liridonë. Më pas hyra në lajme nuk pashë asgjë. Pas 5 minutave, me thirri prapë, më tregoi kur shkova në shtëpi gjendja ishte katastrofale, prindit ishin thuaja të alivanosur i mora në spital për qetësues, pastaj jemi nisur për Prishtinë. Unë kam ardhur direkt në QKUK, më thanë që duhet të shkojë në Dragodan në stacionin policor, Naimi ishte brenda duke jep deklaratë aty kemi qëndruar me fëmijët sepse kanë qenë aty”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, avokati Syla ka shpjeguar se vrasja është përgatitur me kohë nga Naim Museli, i akuzuari kryesor, dhe ka vënë në dukje se, fillimisht,  pasi rasti u trajtua si grabitje, hetimet treguan se qëllimi i vërtetë ishte vrasja.

“Vërehet që Naim Museli e ka përgatitur shumë kohë më parë këtë vrasje, edhe nga shkresat e lëndës vërehet që edhe bashkëpunimi me palët tjera, qoftë edhe me të bashkë akuzuarit, ka qenë i përgatitur më herët…Përderisa është nisur si rast i grabitjes, dhe duke njohur mënyrën sesi kryhen grabitjet në trupin e Liridonën kishte ari, dhe kur kanë parë elementet e kryerjes së veprës penale kuptua që nuk ka të bëj me grabitje por me vrasje. Që nga fillimi qëllimi ka qenë vrasja”, ka deklaruar avokati Syla.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, tha se nuk mund të japë shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.

“Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t’i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore”, tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.