Agim Veliu nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në fjalën e tij në Kuvend tha se Qeveria po e sulmon fjalën ndryshe.
Veliu tha se atributi kryesor i një demokracie janë fjala e lirë dhe mendimi i lirë, kurse ajo çfarë po ndodh në katër muajt e Qeverisë është sulmi ndaj fjalës ndryshe.
“Ajo çfarë po shohim gjatë katër muajve të qeverisë është sulmi ndaj fjalës ndryshe, kjo është fatkeqësi e demokracisë”, tha ndër të tjera Veliu.
Ai tha se po sulmohet secili që nuk mendon si ata, “Pika e sotme e rendit të ditës është kulmi i kësaj maskarade kundër atyre që nuk mendojnë njësoj. Sulm ndaj fjalës të lirë, edhe të atyre që nuk kanë mendim të njëjtë si të Qeverisë. Po sulmohen ekspertet, shërbyesit civil, secili që nuk mendon si ata. Dënimi kolektiv, iu takon regjimeve autoritare që kanë probleme me fjalën e lirë”.
“Mendoj që Radio Televizioni i Kosovës ka pasur nevojë për auditim të thellë dhe çdo parregullësi duhet të kërkojë llogaridhënie individuale, jo kolektive”, shtoi ai.
Veliu tha se kjo që po ndodh do të jetë njollë e zezë në demokracinë tonë dhe do të ketë edhe reagime ndërkombëtare.
“Kjo që po ndodh sot do të jetë njollë e zezë në demokracinë tonë, kjo që po ndodh sot është kapje e transmetuesit publike, shteti po zhytet në autokraci. Nga transmetuesi publik nuk ka mbet tjetër vetëm të ia ndryshojnë edhe emrin, t’ia bëjnë për shembull “Televizioni i partisë shtet”.
Madje, ai tha se ata që kanë vendosur ta kapin këtë institucion nuk ju ka mbetur tjetër vetëm ta dërgojnë edhe një të emëruar politik.
Veliu tha se ka metoda tjera që të zbulohet e vërteta: “Ky shtet dhe këto institucuione kanë nevojë për përmirësim të shërbimeve qytetare, unë ju bëj thirrje të ndalni dënimet kolektive dhe të respektoni institucionet e pavarura, sepse as RTK nuk do t’ju shërbejë, sepse sot ka shumë metoda alternative për të ardhë te e vërteta, e cila ka 3 muaj e më shumë që po ju pengon”.