Lajme

Veliu i përgjigjet Abdixhikut: Ju mbani përgjegjësi për mospërfshirjen time në listë!

12/17/2025 20:37
nga:G B

Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, i është përgjigjur liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi në një paraqitje dje deklaroi se ai e ka vendin e tij në parti dhe derën të hapur.

Përmes një postimi në Facebook, Veliu e akuzoi direkt Abdixhikun si fajtorë, bashkë me Ekrem Hysenin, për mospërshirjen e tij në listën e kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“E vërteta nuk mbyllet me lista. Kam qenë dhe jam pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës jo për interesa personale, por për bindje, punë dhe përgjegjësi ndaj njerëzve që më kanë besuar. Listat zgjedhore janë mbyllur. Vendimet janë marrë.

Deklarata për “derë të hapur” pas këtij fakti është më tepër formale se sa e vërtetë, nuk e ndryshon realitetin dhe nuk e zëvendëson mungesën time në një garë të ndershme dhe transparente.

Përgjegjësinë për mospërfshirjen time në listën e kandidatëve e mbajnë kreu i partisë dhe i emëruari i tij në Podujevë, të cilët në koordinim të plotë, kanë shpërfillur gatishmërinë time dhe kërkesat e mijëra votuesve të shprehura edhe publikisht që të jem pjesë e garës.”

Veliu tha se nëse dera do të ishte e hapur për të, kjo do të reflektohej në vendimmarrje, e jo në deklarata.

“Unë nuk kam kërkuar favore. Kam kërkuar respekt për procesin, për anëtarësinë dhe për votuesit. Parimet nuk negociohen dhe dinjiteti nuk është çështje momenti.

Do të vazhdoj të flas hapur dhe të veproj me përgjegjësi, sepse politika ka kuptim vetëm kur i shërben qytetarëve — jo kur mbyllet ndaj tyre. Nëse dera do të ishte vërtetë e hapur, kjo do të reflektohej në vendimmarrje, e jo në deklarata.

Qëndrestarët, anëtarësia, votuesit e LDK-së dhe opinioni publik kërkojnë arsyen pse nuk jam pjesë e listës zgjedhore!! Zoti e bekoftë LDK-në!”