Sporti

Veliu: Fillim i vështirë në Turqi, më ndihmuan Çekiçi dhe Bytyqi

01/30/2023 08:09
nga:Lorik J

Valmir Veliu, sulmues i krahut të majtë për skuadrën e Super Ligës Turke Gaziantep, të dielën ishte pjesë e emisionit sportiv “Koha Shtesë”. Këtë fundjavë Gaziantep arriti një fitore të rëndësishme përballë Ankaragucu me rezultatin 0-2. Aktualisht skuadra për të cilën luan është në pozitën e 11-të në Super Ligën Turke.

Edhe pse luajti vetëm 10 minuta, pas inkuadrimit në minutën e 87-të, ai ishte protagonist duke asistuar për golin e dytë të cilin Joao Vitor e realizoi në minutën e 97-të. Ky ishte asistimi i parë të cilin e realizoi prej kur kaloi tek Gaziantep në afatin kalimtar veror të vitit të kaluar. Veliu nuk ka pasur një periudhë të lehtë prej transferimit, por ky asistim do të jetë një moment për ta ndihmuar të shfaq atë çfarë ai është i aftë të dhurojë.

Ai u pyet se sa është i kënaqur me paraqitjet që ka dhuruar në Turqi deri tani. “Deri në këto momente jam i kënaqur, por jo shumë. Por, tani kam marrë veten dhe do të dhuroj paraqitje të mira. Më është dashur kohë të komponohem si duhet në skuadër, dhe tash kam nis ta marr vetën dhe e di saktë se çfarë duhet të punojë dhe besoj se do të kam me shumë minutazh dhe ta zë vendin e titullarit”.

Më pas ai foli lidhur me gjendjen skuadrës për të cilën luan. Edhe pse Gaziantep e sheh veten në mesin e tabelës së Super Ligës Turke, është vetëm 3 pikë larg zonës së ftohtë. I pyetur për qëllimet e skuadrës dhe për opinionin e tij se a do të qëndrojë në kategorinë më të lartë të Turqisë, Veliu tha: “Në fillim filluam në mënyrën më të mirë, por kemi pasur disa probleme, objektivi kryesorë është të qëndrojmë në ligë dhe të futemi në Evropë mes Kupës. Besoj se do t’ia dalim, kemi lojtarë të fortë të cilët do të na ndihmojnë“.

A ke filluar të ndjesh besimin e skuadrës dhe raportit me trajnerit, dhe cilat janë pritshmëritë e klubit ndaj teje personalisht?

Unë besoj që ua kam dhënë besimin atyre me paraqitjet e mia, por fatkeqësisht para 3-4 ditësh trajneri dha dorëheqje, mua më kanë pritur shumë mirë prej kur kam ardhur dhe kam pasur raporte të mira. Te ai isha disa herë startues dhe u nda i kënaqur me mua, Të shohim se kush do të emërohet trajner, zëvendësuesi i tij apo dikush tjetër, dhe unë besoj se ekipi është duke më besuar më shumë dhe lojtarët po më japin udhëzime se çfarë të bëj, sepse e dinë potencialin tim.

Sa i përket shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, se a ka pasur ndonjë kontakt me ta në këto muaj se Veliu qëndron atje, ai u përgjigj në mënyrë shumë interesante.

Jo, për fatin tim të keq, nuk jam takuar me asnjë shqiptar që jeton këtu. Fillimi im këtu ka qenë shumë i vështirë për faktin se isha i vetmuar dhe fillova të mërzitesha shumë, por tashmë me kohë njeriu mësohet të jetë i vetmuar dhe gjërat erdhën në vendin e vet.

I pyetur se a ka takuar lojtarët shqiptarë që luajnë atje si Rashica, Hadërgjonaj, Bytyqi apo Topalli, në përballjet direkte dhe se a ka marr ndonjë këshillë nga ata, Veliu tha: “Nuk e kam takuar Rashicën, sepse kur luajtëm me Galatasaray, ai nuk ishte transferuar ende aty, kurse me Zymer Bytyqin (Konyaspor) po.

Ai më ka mbështetur dhe përkrahur shumë, se si duhet të luaj dhe çfarë të bëj për shkak se të gjithë shqiptarët e kanë pasur në këtë kampionat fillimin e vështirë, andaj e falënderoj shumë për këshillat e tij, si mos ta harroj edhe Çekiçin bashkëlojtarin e tij në Konyaspor”, theksoi 22-vjeçari nga Podujeva.