Lajme

Veliaj niset drejt paraburgimit të Durrësit, Kushtetuesja do japë vendimin për shkarkimin në ditët në vijim

10/31/2025 17:41
nga:Y I

Pas përfundimit të seancës së kësaj të premte, në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj është nisur drejt paraburgimit të Durrësit, i shoqëruar nga efektivët e Policisë së Burgjeve.

Kryetarja Holta Zaçaj deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe tërheqjen e gjykatësve për të marrë vendim, i cili pritet të shpallet në ditët në vijim.

Furgoni me forcat e shumta të policisë dhe eskorta që e shoqëronte u nis në orën 8:50 nga paraburgimi i Durrësit për në Tiranë, ku në 10:00 nisi seanca në Kushtetuese. Gjykata shqyrtoi dy kërkesat e Veliajt: kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij dhe kundër dekretit të Presidentit që shpalli datën e zgjedhjeve për kryebashkiakun e ri të Tiranës.

Gjatë seancës, Veliaj kërkoi të flasë personalisht, duke e cilësuar procesin si “betejën e jetës sime”, jo për karrierën, por për “themelet e demokracisë”. Ai u shpreh se ishte ndjerë i tradhtuar nga bashkëpunëtorët që, sipas tij, “pavarësisht se e dinin arsyen e mungesës 3-mujore, nxituan të nisin procedurën e shkarkimit”.

Sipas tij, vendimi kishte motive politike dhe rrezikonte të krijonte një precedent të rrezikshëm për ndërprerjen e mandateve të të zgjedhurve me votë. “Kjo betejë është për çdo kryebashkiak që do të vijë pas meje”, deklaroi Veliaj.

Në qëndrimin e tyre, përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave dhe Presidencës argumentuan se ankimi në Kushtetuese nuk ishte rruga e duhur ligjore, pasi shkarkimi nuk u bë për shkelje kushtetuese, ndërsa sollën edhe raste të ngjashme të refuzuara më herët nga kjo gjykatë. Ata shtuan se një bashki nuk mund të drejtohet nga një person që i ka deleguar firmën, duke kujtuar se vetë Veliaj kishte ndjekur praktika të ngjashme në të kaluarën.