Lajme

Veliaj del nga SPAK pas 8 orësh, ka një mesazh

04/30/2024 17:46
nga:Y I

Pas 8 orësh qëndrim në SPAK dhe 7 orësh dëshmi para prokurorëve të posaçëm, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka dalë nga dyert e organit të akuzës.

Në prononcimin e parë për gazetarët, pasi sqaroi qëndrimin prej 1 ore në pritje në hollin e Prokurorisë së Posaçme, Veliaj tha se gjatë marrjes në pyetje ka pasur një ezaurim total të çështjes së inceneratorit të Tiranës.

Ai pranoi se janë diskutuar me hetuesit detaje të tjera, të cilat refuzoi t’i bënte të ditura për mediat pasi do të përbënin shkelje të sekretit hetimor.

“Isha këtu si bashkëpunëtor.Kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Po diskutonim sot orën 9 me 10 pasi kishte edhe një seancë tjetër. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve, të gjithë shpjegimet e nevojshme për mënyrën se ku dallon projekti i IFC-së, i cili u rrëzua dhe ishte nisur nga ish-bashkia me 37 euro/toni dhe që kjo ishte krejtësisht diçka tjetër e pa kërkuar nga investitorë të tjerë që s’kishin lidhje me bashkinë dhe as IFC. Sigurisht që u thanë edhe disa detaje të tjera. Të dy kolegët hetues më kanë kërkuar që për çështje të hetimit dhe sekretit hetimor dhe çështje etike, pasi bashkia Tiranë ka sjellë edhe disa prova të tjera, të mos i ndaj me gazetarët. Sigurisht do jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time.”