Lajme

Vehbi Kajtazi: Luftëtarët kurrë nuk kthehen në shtëpi

12/16/2022 18:23
nga:Vehbi Kajtazi

Gjithçka kisha dhanë veç me i përjetu emocionet e disa eproreve të UÇK-së, kur Cali u shpall fajtor.

Bravo, ia keni punu mirë një luftëtari që kurrë nuk e ka vënë fatin e tij para fatit kolektiv të shqiptarëve.

Cali, i vetëm u shpall fajtor pos tjerash për krime në kuadër të një “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”?

Ku janë të tjerët në “këtë ndërmarrje”.

Si mund të ketë ndërmarrje të përbashkët kriminale me një person të gjykuar?

Cali u shpall fajtor “në emër të popullit”. Në emër të atij populli që Cali luftoi për liri?

U shpall fajtor në ditën që presidenti i Serbisë kërkon kthimin e 1000 ushtarëve pushtues në “vendin e krimit”.

Por, Cali e duron edhe këtë. E përballon edhe këtë sepse kështu është gatuar.

Nga viti 1990, Cali vetëm 10 vjet ka qenë në shtëpi, i lirë me familjen e tij.

Ai, u dënua po atë vit. Kur fitoi lirinë individuale – lirimin nga burgu i Milosheviqit, Cali shkoi drejt në male për të luftuar kundër atyre që ia morën lirinë individuale dhe kolektive.

Sërish pas 12 vjetësh Calit iu mor liria individuale për kohën kur ai luftoi për lirinë kolektive të shqiptarëve që përjetonin shtypje deri në gjenocid.

Cali, sot është kriminel lufte i shpallur nga shkalla e parë e një gjykate.

Për mua ai është hero! I tillë do të mbetet.

Të tillë do ta përjetoj.

Të tillë do ta dua.

E ardhmja do të tregojë se kush i bëri këto veprime që iu hodhën Calit.

Kush u bë milioner në emër të luftës dhe kush fërkon duart sot.

Cali, është luftëtar.

I tillë mbetet përgjithmonë.

Prandaj luftëtarët kurrë nuk kthehen në shtëpi.

Cali, po vazhdon të jetojë larg shtëpisë. Mund të kishte rënë para 22 vjetësh. Mund të mos kthehet më. Por kjo, nuk e zbeh asnjëherë urtësinë dhe madhështinë e Calit.