Sporti

Veç 13-vjeçar, Kimbrough bëhet lojtari profesionist më i ri në Shtetet e Bashkuara

10/02/2023 18:34
nga:Lorik J

Da’vian Kimbrough është lojtari profesionist më i ri në historinë e futbollit dhe sportit në Shtetet e Bashkuara.

Në moshën 13-vjeçare, sulmuesi luajti tre minutat e fundit të triumfit të Sacramento Republic kundër Las Vegas Lights (2-0), në një ndeshje në raundin e 32-të të Konferencës Perëndimore të Kampionatit USL, niveli i dytë i Amerikës së Veriut në futboll, përcjell GazetaBlic Sport.

Kimbrough ka lindur në Kaliforni. Ai filloi me North Bay Elite FC dhe më pas kaloi në Woodland SC, përpara se të bashkohej me Sacramento Republic në 2021. Qershorin e kaluar, ai u ftua të merrte pjesë në Kupën Bassevelde për nën-13 vjeç me ekipin e New York Red Bulls dhe u emërua lojtari më i mirë i turneut.

Vitin e kaluar, ai mori pjesë në një kamp trajnimi të federatës së Amerikës së Veriut për të lindurit në 2008 dhe 2009, pavarësisht se ka lindur në vitin 2010. Dhe, në Meksikë, ata po i kushtojnë vëmendje gjithashtu evolucionit të tij, pasi është thirrur për një stërvitje të kombëtares U-16.

Tani e tutje vëmendja do të jetë edhe më e madhe.

/GazetaBlic Sport